Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka kritikuar programin e Qeverisë Kurti për politikën e jashtme.
Përmes një konference për media, nënkryetarja e kësaj partie, Shqipe Mjekiqi, ka thënë se programi i Qeverisë për politikën e jashtme është më shumë i natyrës dëshirore, pasi nuk ka plan e as strategji.
“LDK-ja e konsideron të rëndësisë të jashtëzakonshme konsolidimin e politikës së jashtme të Kosovës. Përfaqësimi i interesave të qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioritet për secilen qeveri, por programi i Qeverisë për politikën e jashtme është i natyrës dëshirore. Me një fjalë, s’ka strategji, s’ka plan veprimi. Programi nuk përmban asnjë fjalë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Interpol e të tjera”, ka thënë Mjekiqi.
Sipas saj, Qeveria ka mungesë të strategjisë për njohje të reja.
“Qeveria ka mungesë të strategjisë për njohje të reja. Qeveria nuk e shpjegon se si do të arrihen fondet e IFA-së. Nuk ka strategji as për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ne e konsiderojmë që procesi i heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës është i vonuar. Bashkëpunimi me Shqipërinë përmendet në vetëm një paragraf, ndryshe nga premtimet gjatë zgjedhjeve të cilat nuk po konkretizohen”, ka thënë ndër të tjera Mjekiqi.