LDK kërkon raportim të Kurtit për marrëveshjen në Bruksel, Abdixhiku: Kryeministri po i bënë dëmin më të madh Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka kërkuar që në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, si pikë e parë e rendit të ditës të hyjë raportimi i kryeministrit Albin Kurti për marrëveshjen e arritur në Bruksel më 27 shkurt 2023.

Propozimin e mocionit procedural e bëri kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Propozoj mocion procedural që si pik e parë e rendit të ditës të ndodh raportimi i kryeministrit  pas procesit dialogues konfrom rezolutave paraprake të nxjerra në Kuvend”, tha ai.

Abdixhiku tha se kjo marrëveshje është e dëmshme. “Këtë javë më 27 shkurt në takimin e nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së është arritur dakordim për një marrëveshje drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Marrëveshja e pa prezantuar në Kuvendin e Kosovës por e dakorduar në Bruksel u prezantua po në natën e 27 shkurtit.

Kjo marrëveshje kishte 11 nene, një parathënie dhe një aneks të pa bërë publik që palët janë zotuar ta respektojnë sipas nenit 11 të marrëveshjes. U vërtetuan brengat tona të ngritura. Nuk ishte finale e as nuk përmbante njohjen e ndërsjellë në qendër të saj…”, tha Abdixhiku.

Ai shtoi se ajo  që merr vëmendjen në këtë marrëveshje ishte parathënia e saj që sipas tij është mbajtur fshehtë nga kryeministri në raportimin e fundit të bërë në këtë Kuvend.

“Parathënien e gjen në dy formulime skandaloze të rënda dhe me dëme historike për Kosovën. E para ka të bëjë me tejkalimin e trashëgimisë së të kaluarës, dhe i dyti ka të bëjë me pajtimin e  palëve mbi çështjen e statutit. Në vend të ballafaqimit të Serbisë me të kaluarën kryeministri dakordohet për tejkalim të trashëgimisë”, tha Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së, shtoi se ky është një rast i paprecedent, ku Kosova pajtohet me paragjykimin rreth statutit të vet politik.

“Barazon mosnjohjen e Serbisë me vet aktin e deklarimit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ky formulim neutral ndaj statutit të Kosovës është lëshimi më i madh i bërë ndonjëherë në procesin e dialogut nga një kryeministër i Kosovës. Marrëveshja Kurti-Vuçiq sjell neutralitetin ndaj statutit të Kosovës. Pra marrëveshja jo vetëm që nuk e ka njohjen në qendër të saj, por ka neutralitet…”, tha Abdixhiku.

Gjatë fjalës së tij partia në pushtet LVV, nga ulëset kundërshtonin fjalimin e Abdixhikut.

Në një moment Abdixhiku iu drejtua se “pushteti po frikohet nga e vërteta. Më lejoni ta shtroj mocionin procedural me arsyetim…”. /Telegrafi/