Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), do të kërkojë mbajtjen e një debati parlamentar për rritjen e çmimeve të derivateve, teksa një litër naftë në Kosovë më 9 qershor po shitet 1.82 euro.
Në një konferencë për media, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, tha se do të kërkojnë edhe miratimin e një rezolute për uljen e akcizës në derivate dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për produktet esenciale, “deri në tejkalimin e kësaj krize”.
“Çmimi i litrës së naftës ka tejkaluar mbi 1.80 euro dhe po shkon drejt 1.90 euro. Nëse për një periudhë të caktuar do të largoheshin tërësisht akciza dhe TVSH-,ja çmimi do të binte në rreth 1.20 euro. Pra, kjo Qeveri po u merr qytetarëve të Kosovës rreth 60 centë për çdo litër naftë që ata konsumojnë”, tha Mustafa.
Me qëllim të rregullimit të çmimeve të naftës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njoftoi më 8 qershor se Qeveria po mëton që të nxjerrë akt nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse.
“MINT ka përgatitur tashmë draftin dhe po zhvillon konsultimet në mënyrë intensive me hisedarë, në mënyrë që sa më parë ta procedojë për miratim në Qeveri. Vendimmarrja pritet të ndodhë shpejt”, u tha në njoftim.
Por, Mustafa tha se një propozim i tillë është i pamjaftueshëm, pasi parashikohet se do të lirojë çmimin deri në 12 centë për litër të naftës.
“Sot paskan menduar që të vendosin t’i lirojnë 12 centë në çmim të litrës së naftës. Pra, po flasin se ata mund t’i lirojnë deri në 60 centë, por po i lirojnë deri në 12 centë. [Ky propozim] është i vonuar dhe i papranueshëm dhe me një efekt superminimal në xhepin e qytetarëve të Kosovës”, tha Mustafa.
Shoqatat e naftëtarëve të Kosovës janë mbledhur të enjten dhe pritet të marrin vendim lidhur me propozimin e Qeverisë së Kosovës për rregullimin e çmimeve të naftës, teksa në media është raportuar se ata mund të mbyllin edhe pompat e benzinës për shkak se kundërshtojnë mundësinë e rregullimit të çmimit të naftës nga ekzekutivi.
Qytetarët në Kosovë po përballen me rritje të çmimeve të produkteve bazë, teksa sipas të dhënave zyrtare, inflacioni ka qenë 11.2 për qind në muajin prill.
Qeveria e Kosovës kishte vendosur një marzhën (çmimi maksimal) për çmimet e naftës, e cila ishte në fuqi nga 3 marsi deri më 31 maj.
Ky vendim thoshte se te shitësit me shumicë, marzha më e lartë tregtare ishte deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë deri në 6 për qind.