Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se është në pritje të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e mandatarit.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se në mungesë të vendimit të plotë, është pezulluar edhe mbledhja e Kryesisë së partisë.
Ai i ka thënë KOHËS se sapo të pranojnë vendimin do të procedojnë tutje me hapat e ardhshëm për formimin e Qeverisë me kryeministër Avdulla Hotin.
“Ne ende nuk kemi marrë informacione nga Gjykata Kushtetuese se kur do të vjen vendimi i plotë, sapo ta marrim atëherë do të procedojmë tutje”, ka thënë ai.
KOHA ka provuar të marrë përgjigje nga Gjykata Kushtetuese se kur do t’iu dërgohet palëve vendimi i plotë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Kushtetuesja ditë më parë vendosi në favor të dekretit të presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Hotin për kryeministër.
VV-ja si parti fituese insiston se vetëm asaj i takon formimi i Qeverisë.
Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti u rrëzua më 25 mars me mocion mosbesimi të iniciuar nga LDK-ja, që ishte edhe partnere e koalicionit.