Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar pas njoftimit të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, se u ka dërguar letër të gjitha partive politike ku ka theksuar nevojën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Kjo parti e ka quajtur kryeministrin dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ideator të nismës për zgjedhje të parakohshme.
“Përgjigjen dhe qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës ia kemi kthyer tashmë ideatorit të vërtetë të kësaj nisme, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje z. Albin Kurtit”, thuhet në përgjigjen e LDK-së për KOHËN të premten.
Më herët gjatë ditës, Krasniqi u shpreh se në letrën drejtuar liderëve të partive parlamentare ka shprehur qëndrimin se zgjedhjet sot janë domosdoshmëri duke kërkuar koordinim e hapa konkretë. Ai u shpreh se 30 qershori dhe 7 korriku janë propozuar si data për mbajtjen e zgjedhjeve. Sipas tij, për të arritur ndonjërën nga to, shpërndarja e Kuvendit duhet të votohet më së largu më 29 maj.
Krasniqi e kryeministri Kurti para 10 ditësh u takuan dhe diskutuan për zgjedhjet e reja. Të dyja partitë janë shprehur pro shpërndarjes së Kuvendit, ndërsa dy partitë tjera parlamentare, LDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar dorëheqjen ja shkarkimin e Kurtit.