Qëndrime të kundërta për vettingun në drejtësi kanë dhënë brenda pak ditësh dy partitë në koalicion që synojnë të formojnë Qeverinë e re, LDK-ja dhe AAK-ja.
Për dallim nga i nominuari i AAK-së për ministër të Drejtësisë, Selim Selimi, që ka paralajmëruar anulim të verifikimit të së kaluarës së prokurorëve dhe gjyqtarëve, Florian Dushi nga LDK-ja thotë se ky proces do të vazhdojë, raporton KOHA.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së shton se në sektorin e drejtësisë nuk kanë dallime me partnerin e koalicionit dhe se kanë harmonizuar programin.
Por, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se as LDK-ja e as AAK-ja nuk janë të interesuara që të ketë verifikim në drejtësi.
Sipas saj, këto parti duan të kenë këtë gjendje jo të mirë të sistemit të drejtësisë.
Haxhiu e sheh shqetësuese deklarimin e të propozuarit për ministër të Drejtësisë.
Më 28 shkurt, Qeveria në detyrë Kurti krijoi grupin e ekspertëve prej 10 anëtarëve për hartimin e skenarëve dhe elementet e reformës së vetingut në drejtësi.