LDK-ja nënshkruan koalicion parazgjedhor me PSHDK-në

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka nënshkruar koalicion parazgjedhor me Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK), për të garuar në një listë të përbashkët zgjedhore. 

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ky bashkëpunim është rikthim në traditën e hershme, e sipas tij, ky përbashkim definojnë të ardhmen euroatlantike.

“Sot, në Prishtinë, në Selinë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nënshkruam marrëveshje parazgjedhore me Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK) për garimin e përbashkët në një listë zgjedhore, në listën e LDK-së, në zgjedhjet e ardhshme nacionale. Ky bashkëpunim është rikthim në traditën e ndershme  dhe të shëndoshë që nëpër dekada kemi pasur, që nga koha e Presidentit Rugova dhe profesor Mark Krasniqi. Përbashkimi i së djathtës brenda listës së LDK-së, me programin e LDK-së dhe me bindjet tona ideologjike që definojnë vet të ardhmen euroatlantike, është domosdoshmëri kombëtare”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij, në Facebook.

Ai shtoi se partia e tij do të vazhdojë angazhimin “në përbashkimin e së djathtës me partnerë të tjerë gjatë ditëve, javëve e muajve të ardhshëm”.