Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka paralajmëruar se të mërkurën do të dorëzojë kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në lidhje me punësimet e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Në një komunikatë për media, kjo parti ka njoftuar se dorëzimi i kallëzimit penal do të bëhet në orën 14:00, një ditë pasi që Prokuroria njoftoi për nisjen e hetimeve për punësimet në KEK.
Sipas raportimeve, dyshohet se shumica e më shumë se 100 personave të punësuar në KEK janë të afërm të anëtarëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Prokuroria njoftoi të martën se ka nisur hetimet për dyshime, ndërsa LDK-ja kërkoi anulimin e konkursit.
“Rasti i fundit është ku aplikuan 4.668 persona (në KEK v.j) e u punësuan 128 militantë e të afërm të VV-së. Kërkojmë që një trend si ky të ndërpritet. LDK-ja kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë. Shkarkim dhe suspendim i të gjithë zyrtarëve në KEK. Ftojmë prokurorinë që të hetojë”, pati deklaruar zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, në një konferencë për shtyp.
Ndërkaq kryeministri Albin Kurti ka mohuar akuzat se në Korporatën Energjetike të Kosovës janë punësuar përkrahës të Vetëvendosjes. Kurti ka thënë se nëse ka pasur parregullsi në konkursin në KEK, të njëjtat do të rregullohen me shqyrtimin e ankesave.