Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës e thirrur për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, duhet t’i përmbushë kushtet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) në rrethanat e pandemisë së COVID-19.
Për këtë arsye, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar mendimin e IKSHPK-së rreth mbajtjes së seancës në ambientet e kuvendit, për shkak se aty deputetët nuk mund ta mbajnë distancën sociale sipas kritereve të përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), të cilat i rekomandon të zbatohen edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Kryesia e Kuvendit pritet të mblidhet të martën kur edhe do të ketë para vetes jo vetëm mocionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës të nënshkruar nga 44 deputetë për rrëzimin e qeverisë, por edhe mendimin e IKSHPK-së. Kryesia do t’i shqyrtojë rrethanat dhe do të vendosë për kohën, vendin dhe formën e mbajtjes së seancës.
Zyra e sekretarit në Kuvendin e Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë, se ende nuk ka një vendim lidhur me këtë çështje dhe se sipas tyre, kjo çështje është përgjegjësi e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
“Është në mandatin e Kryesisë për të përcaktuar hapat që duhet të ndiqen për të thirrur seancën”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga zyra e sekretarit.
Por, pavarësisht rrethanave të krhuara me pandeminë e koronavirusit të ri, Lidhja Demokratike e Kosovës, si iniciuese dhe tri partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, janë deklaruar tashmë se do të shkojnë në seancë dhe do të votojnë për rrëzimin e qeverisë Kurti.
Kuvendi i Kosovës ka pranuar të premten dokumentin e nisur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes së cilit kërkohet mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit, Albin Kurti.
Sipas rregullores që përcakton organizimin dhe funksionimin e Kuvendit të Republikës së thuhet se mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditës, jo me vonë se pesë ditë dhe jo më herët se dy ditë nga dita e parashtrimit të tij.
Në anën tjetër, njohësit e zhvillimeve politike, konsiderojnë se në aspektin ligjor e kushtetues, mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, duhet të procedohet.
Sipas tyre, Kryesia e Kuvendit të Kosovës, deri ditën e mërkurë duhet të vendosë se si do të procedojë tutje me këtë mocion.
Analisti politk, Blerim Vela, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo çështje fillimisht duhet të vendoset nga kryesia e kuvendit dhe më pas të shihen mundësitë se ku, në cilin vend apo cilën hapësirë, do të mbahet seanca.
“Nuk ekzistojnë kushtet minimale për mbajtjen e seancës duke marrë parasysh se kërkohet që të ketë një distance prej së paku dy metrash mes personave në një hapësirë. Dhe nëse e bëjmë një përllogaritje shumë të thjeshtë e shohim se ajo sallë nuk i përmbushë kushtet sepse kërkohet një hapësirë me së paku 700 deri në 1,000 metra katrorë”, tha Vela.
Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, thekson ai, e parasheh mundësinë që seanca të mos mbahet vetëm në sallën e kuvendit, por edhe diku tjetër.
“Nëse procedohet mbajtja e seancës plenare, me siguri se do të mbahet në një sallë tjetër e jo në sallën e seancave të Kuvendit të Kosovës. Do të shikohen kushtet që të plotësohen rekomandimet e IKSHPK-së, pra një sallë që ua mundëson deputetëve të jenë larg njëri-tjetrit në distancën dy metra, por edhe përfaqësuesve të qeverisë dhe të tjerëve”, tha Vela.
Sipas tij, Kosova aktualisht është në një situatë të paprecedent dhe se as Kushtetuta e as Rregullorja e Kuvendit nuk e parasheh një gjendje si kjo dhe mundësinë që për shkak të rrethanave të krijuara me pandeminë e COVID-19, të shtyhet mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë.
Ai thotë se e vetmja mundësi, nëse nuk ka kushte për mbajtjen e seancës, është që deputetët dhe iniciuesi, në këtë rast LDK-ja, t’i tërheqin nënshkrimet nga mocioni.
“Natyrisht që ekziston edhe një mundësi nëse ka marrëveshje politike dhe të gjithë ata që e kanë nënshkruar mocionin t’i tërhiqnin (nënshkrimet) dhe pastaj kjo çështje të mos shqyrtohet në kuvend, pra mbetet në përgjegjësinë e iniciatorëve të seancës që ta kenë parasysh faktin se a dëshirojnë që dhe më tutje ta çojnë përpara mocionin apo thjesht ta shtynë për një datë tjetër, kur të jenë kushtet më optimale për mbajtjen e seancës”, tha Vela.
Qeveria e Kosovës ka pësuar luhatje, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë lindur ndërmjet dy partive partnere të koalicionit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Përplasjet mes tyre kulmuan me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për shkarkimin e Agim Veliut nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo e fundit, inicioi më pas mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, duke i siguruar nënshkrimet nga deputetët e opozitës.
Mospajtimet në mes Vetëvendosjes dhe LDK-së u shpërfaqën edhe në lidhje me shfuqizimin e tarifës ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, masë kjo e vendosur nga qeveria e kaluar dhe që ishte bërë pengesë për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi.
Qeveria Kurti u ishte nënshtruar nga dita e parë e punës kërkesave dhe thirrjeve të SHBA-së dhe BE-së për shfuqizimin e tarifës dhe vazhdimin e dialogut me Serbinë. LDK-ja kërkoi që Kurti t’u përgjigjej pozitivisht këtyre kërkesave. Por, kryeministri Kurti vendosi që tarifën ta shfuqizojë vetëm pjesërisht për dy javë, duke u zotuar se ajo nga 1 prilli do të hiqej në tërësi.
Kjo kriza qeveritare, për shkak të mospajtimeve ndërmjet dy partive të koalicionit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike po vjen në kohën kur e gjithë bota, përfshirë edhe Kosova, po ballafaqohet me luftën kundër koronavirusit të ri. Gjendja është treguar alarmante, andaj edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur gjendje pandemie. /Rel/