LDK: Instaluesit e dhunës në Kuvend s’kanë të drejtë moralizuese sot

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tha se instaluesit e dhunës në Kuvendin e Kosovës nuk kanë të drejtë moralizuese sot, ndërsa tha se ata kanë ushqyer polarizim të skajshëm shoqëror e gjuhë të urrejtjes.

Nëpërmjet Facebookut, LDK-ja u shpreh pas rrahjes në Kuvendin se këtë sjellje të papërgjegjshme, ndarëse e përplasëse nuk guxojmë ta ushqejmë njësoj.

“Pamjet e shëmtuara të dhunës nuk e kanë vendin në Kuvendin e Republikës. Nuk e kanë pasur asnjëherë – as në të shkuarën – as tani. Sot, ishte një ditë tjetër e rëndë në historinë parlamentare të Republikës. Instaluesit e dhunës në Kuvendin e Kosovës nuk kanë të drejtë moralizuese sot. Ata kanë ushqyer polarizimin e skajshëm shoqëror, kanë ushqyer gjuhën e urrejtjes, ndarjes e përplasjes në çdo sjellje e veprim të tyre; e bëjnë dhe sot. Këtë sjellje të papërgjegjshme, ndarëse e përplasëse nuk guxojmë ta ushqejmë njësoj”, thuhet në njoftim.

Kjo parti opozitare tha se do të vazhdojë t’i mbrojë dhe t’i ushtrojë vlerat bazike demokratike e shtetërore, “në çdo sjellje të saj, brenda sallës së Kuvendit dhe jashtë saj”.