Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka folur për postin e presidentit, post ky që ende ka mbetur ngërç për shkak të mosmarrëveshjeve të deritanishme nga subjektet politike në vend, shkruan Gazeta Stop.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Mustafa ka thënë se në ditët në vijim do të mbahet një takim me të gjitha partitë politike për të diskutuar lidhur me postin e presidentit të Kosovës.
“Në ditët në vijim, pres ta mbajmë një takim me subjektet politike parlamentare. Jam në kontakte me partitë e koalicionit dhe me PDK-në. Ftesë do t’i bëjmë edhe LVV-së”, tha ai.
Tutje, kreu i LDK-së tha se nuk e paragjykon se kush do ta marrë këtë pozitë, por sipas tij, një tryezë e përbashkët do të ndihmojë ta zgjidhë këtë problem.
“Nuk paragjykoj se kush mund ta merr pozitën e Presidentit, por besoj shumë se një tryezë e përbashkët do të ndihmojë. Ne do duhej ta arrijmë një marrëveshje, për të cilën pastaj lypset përkrahja e organeve të LDK-së dhe e partive të tjera”, shtoi Mustafa.
Lideri i LDK-së po ashtu tha se partia e tij nuk ka pretendime për pozitën e presidentit, derisa e kanë kryeministrin.
“LDK e ka kryeministrin. Nuk kemi pretendime për pozitën e presidentit, derisa e kemi kryeministrin”, përfundoi Mustafa.