Mesfushori Luis Alberto do të jetë pjesë e skuadrës së Lazios për këtë sezon. Qëndrimin e spanjollit te Lazio e ka konfirmuar drejtori sportiv i klubit italian, Igli Tare, njofton “Football-Italia” të hënën.
Tare ka insistuar se Alberto do të jetë nën urdhrat e trajnerit Maurizio Sarri, përkundër që spanjolli ka kërkuar largimin nga klubi.
“Ai nuk do të largohet nga Lazio këtë verë. Kështu që, mund të konfirmoj se Luis Alberto do të jetë pjesë e klubit tonë këtë sezon”, ka thënë Tare.
Alberto nuk i ka raportet e mira me Sarrin dhe për këtë arsye kishte kërkuar largimin, ndërsa interesim për të kishte shfaqur Sevilla.
29-vjeçari ka kontratë me Lazion deri në vitin 2025.