Latifi për Superligën Evropiane: Futbolli po kalon në matematikë

Gazetari sportiv, Driton Latifi, vlerëson se formimi i Superligës Evropiane të Futbollit është bërë që skuadrat e mëdha të kenë privilegje.

“Qëllimi për komeracializimin e një lige të tillë që të ndahet nga një organizim i mirëfilltë tregon që futbolli do të kalojë nga “për të gjithë” në grupe interesi. Sado që mund të ketë arsyetime, nuk është gjithçka e qëndrueshme sepse futbolli jep momente magjike kur skuadrat e mëdha sfidohen nga skuadrat e vogla”.

“Në këtë sfidë do të ketë format nga 20 skuadra, që të ketë kampionat në dy grupe që do të sfidojnë me përballje të rregullta të gjigantëve. Kjo tërheq edhe shikueshmëri të madhe. Futbolli nuk i takon një niveli të caktuar të një grupi të organizuar por të gjithë futbollit evropian në shtrirje më të gjerë. Ka dëshpërim edhe në mesin e lojtarëve të skuadrave të mëdha”, ka thënë Latifi, njofton Klan Kosova.

Latifi në Edicionin Special ka shtuar se futbolli me këtë ligë është duke u shndërruar në matematikë.

“Është e drejtë legjitime e UEFA-s që të mbrojnë një organizim që eksiton në 100 vjet. Të gjitha të hyrat e UEFA-s janë shpërndarë në mënyrë proporcionale, ku përfituese direkte kanë qenë skuadrat më të vogla. Futbolli mund të mbytet dhe të humbë sensin e sfidës të përgjithshme. Futbolli nuk është matematikë dhe sfida mund të jetë direkte edhe nga një skuadër e vogël. Futbolli po kalon në matematikë”.

Për të kjo ligë do të dëmtojë imazhin e futbollit.