Largimi i barrikadave, Haradinaj: Nuk mund t’i vendosen kurrfarë afatesh KFOR-it

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka ftuar serbët e Kosovës që të mos bien pre e kalkulimeve politike të Aleksandër Vuçiqit e të kujtdo qoftë tjetër dhe të mos bëhen dëm kolateral sepse e ardhmja e tyre është në Kosovë për të jetuar në paqe e harmoni me gjithë të tjerët bashkë.

Përmes një konference për shtyp, Haradinaj ka thënë së platforma luftënxitëse e Vuçiqit dhe njerëzve të tij të instaluar në veri, po i kalon vijat e kuqe.

“Situata ne veri të Kosovë po bëhet gjithnjë e më serioze dhe më e komplikuar. Platforma luftënxitëse e Vuçiqit dhe njerëzve të tij të instaluar në veri, po i kalon vijat e kuqe. Ai duhet urgjentisht t’i tërheq njerëzit e tij nga veriu dhe urdhërojë heqjen e barrikadave e t’i kthehet tryezës së bisedimeve. Ai nuk mund ta sfidojë Kosovën e cila është përcaktuar për paqe. Logjika që me mjete ushtarake të krijohet pozicion më i fortë për marrëveshjen për njohje të ndërsjellë në raport me Kosovën, është kapitull që është mbyllur në vitin 1999”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe deklaratat e tij janë duke e komplikuar situatën.

“Fatkeqësisht as Kurti e as njerëzit e tij nuk janë duke vepruar drejt. Veprimet dhe deklarimet e pamatura të tyre, në vazhdimësi e specifikisht në këtë 3 muaj, veç sa e kanë bërë situatën më të rëndë. Misioni paqëruajtës i NATO-s në Kosovë, nuk është palë, prandaj edhe nuk mund të konsiderohet si i tillë. Nuk mund t’i vendosen kurrfarë afatesh KFOR-it. Misioni i tyre në Kosovë është i qartë dhe i pastër si loti. Palë në Kosovë nuk janë as Washnigtoni e as Brukseli. Ata janë aleatë të paqës e të sigurisë në Kosovë, dhe kryeministri duhet të heqë dorë nga retorika kundërshtuese ndaj tyre. E ardhmja e Kosovës është e lidhur përjetësisht me Aleatët perëndimor, posaçërisht me Amerikën”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka kërkuar nga serbët e Kosovës të mos bien pre e kalkulimeve politike të Vuçiqit dhe të askujt tjetër.

“Kam një kërkesë edhe për serbët e Kosovës. Të mos bien pre e kalkulimeve politike të askujt, e as të Vuçiqit. Të mos bëhen dëme kolaterale. E ardhmja e tyre është në Kosovë. është në paqe dhe në harmoni më gjithë të tjerët, prandaj largohuni nga barrikadat”, tha Haradinaj.