Lansohet Fondi për Garanci Kreditore

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti bashkë me ministren e Financave, Hykmete Bajrami, ka zhvilluar një takim virtual me përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës dhe bankave komerciale, ku është lansuar Fondi për Garanci Kreditore.

Kryeministri Hoti ka sqaruar se Fondi për Garanci Kreditore, është pjesë e Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike 2020-2021. Me këtë mekanizëm, ka theksuar ai, krijohen lehtësi kreditore dhe rritet likuiditeti i kompanive, ndërsa në të njëjtën kohë ulet rreziku kreditor. Prandaj, ai ka ofruar mbështetje të pa rezervë për këtë masë që ndihmon zhvillimin ekonomik të vendit.

Kryeministri Hoti ka thënë se me një fond prej rreth 60 milionë euro, ofrohet mbështetje për ndërmarrjet private dhe ato publike në sektor të ndryshëm, përmes instrumenteve të reja për garanci kreditore, që nënkupton rritjen e përqindjes së garancisë në 80%. Ai ka nënvizuar se, në këtë fond përpos Qeverisë së Republikës së Kosovës, kanë ofruar mbështetje edhe Banka Botërore, Banka Investive Evropiane si dhe KFW-ja gjermane.