Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se ka pranuar një thirrje telefonike nga emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Kurti shkroi se Lajçaku i uroi atij dhe qeverisë së re suksese.
“Sot më erdhi një telefonatë nga @MiroslavLajcak i cili më përgëzoi për rolin tim të ri si Kryeministër, duke i uruar qeverisë sonë sukses. Pres bashkëpunimin tonë të ardhshëm”, ka shkruar Kurti.
Ndryshe, Lajçaku javë më parë vizitoi Kosovën duke u takuar me liderët shtetërorë.
Ai në vazhdën e takimeve, ishte takuar edhe me Kurtin. Lajçak kishte porositur që Kosova të flasë me një zë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, teksa Kurti kishte thënë se dialogu nuk mund të jetë prioritet i parë apo i dytë, porse ai duhet të jetë i përgatitur mirë dhe i sinqertë.