Lajçaku përfundon detyrën si emisar për dialogun, nga shtatori me post të ri

Në kuadër të rotacionit të madh në postet diplomatike të Bashkimit Evropian nëpër botë, Mirosllav Lajçak, që aktualisht është i dërguari i posaçëm i bllokut për dialogun Kosovë-Serbi, pritet të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër.

Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet diplomatike se Lajçaku do të nisë mandatin në kryeqytetin zviceran, Bern, më 1 shtator të këtij viti.

Ende nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Lajçakun në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Para katër vjetësh, ish-ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Lajçaku ishte emëruar në këtë post. Mandati i tij përfundon në fund të gushtit.

Burimet evropiane thanë se posti i përfaqësuesit të posaçëm për dialogun do të vendoset më vonë, pas rotacionit të një numri të madh të ambasadorëve të BE-së nëpër botë.

Po ashtu duhet të vendoset se si do t’i qaset BE-ja në të ardhmen dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithsesi, në BE do të ketë përpjekje që kjo të vendoset para 1 shtatorit në mënyrë që të mos ketë zbrazëti pas largimit të Lajçakut. Por, kjo të varet nga qasja që do të ketë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, i cili do të pasojë në këtë post, Josep Borrellin.

Megjithatë, se kush do të jetë shefi i ri i diplomacisë evropiane dhe cila do të jetë qasje karshi dialogut Kosovë-Serbi, që BE-ja ndërmjetëson që nga viti 2011, do të vendoset pas zgjedhjeve evropiane të qershorit, nga të cilat do të zgjidhet edhe përbërja e re e Komisionit Evropian.

Të njëjtat burime i thanë REL-it se ambasadori aktual i BE-së në Estoni, Aivo Orav, është zgjedhur që të jetë shefi i ri i Zyrës së bllokut evropian në Kosovë. Ky post po ashtu ka rangun e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së.

Kur të konfirmohet edhe zyrtarisht, Orav do ta zëvendësojë në këtë post në Prishtinë ambasadorin aktual, Tomas Szunyog.

Shefi i ardhshëm i zyrës së BE-së në Kosovë ka përvojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi më herët ka shërbyer si shef i delegacionit të bllokut evropian në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi.

Në kuadër të ndryshime, diplomati italian, Luigi Soreca, pritet të bëhet shef i delegacionit të BE-së në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës. Diplomati italian ka qenë ambasador i bllokut në Shqipëri. /REL/