I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në ditën e dytë të vizitës së tij në Prishtinë, ka zhvilluar një takim me liderët e partive politike.
Ai është takuar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe me atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
“Fillova ditën e dytë në Kosovë me një diskutim shumë të mirë dhe përcaktues me kreun e Vetëvendosjes Albin Kurti. Theksova nevojën që Kosova të flasë me një zë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Çdo marrëveshje duhet të jetë e pranueshme për njerëzit e saj”, shkruan Lajçaku në Twitter.
Me të ardhur në Prishtinë, ai ka deklaruar që “përparimi i Kosovës në rrugën evropiane bëhet vetëm përmes BE-së dhe ka paralajmëruar rinisjen e procesit të dialogut në Bruksel”.
Lajçak ka arritur në Kosovë një ditë pasi i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka njoftuar se përfaqësuesit e këtyre dy shteteve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.