Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, do ta vizitojë Kosovën nga 1 deri më 3 mars, ka konfirmuar Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë përmes një komunikate për media.
Pas Kosovës, ai do të vazhdojë vizitën në Serbi, nga 3 deri me 4 mars, dhe gjithashtu do të vizitojë Malin e Zi si pjesë e mandatit të tij rajonal nga 4 deri në 5 mars.
Lajçak planifikon të takohet me udhëheqjen politike të të tre partnerëve të Ballkanit Perëndimor, si dhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në terren.
Bashkimi Evropian, në reagimet e para pas zgjedhjeve në Kosovë më 14 shkurt, ka bërë thirrje që autoritetet e reja që do të dalin nga këto zgjedhje të vazhdojnë angazhimin konstruktiv në dialogun me Serbinë.
Fituesja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ndonëse nuk e ka caktuar si prioritet dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, thotë se ky dialog megjithatë duhet të ketë qasje të re. Në këtë qasje, ndër të tjera kërkohet edhe përfshirja e Shteteve të Bashkuara.
LVV-ja në vazhdimësi e ka cilësuar dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli si jotransparent dhe i ka cilësuar si të dështuara shumicën e 33 marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.
Kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti ka thënë se dialogu është ‘prioritet i gjashtë apo i shtatë’, gjë e cila nuk është pritur mirë në BE. Zyrtarët e këtij institucioni, që e ndërmjetësojnë dialogun, nuk janë përgjigjur saktësisht në pyetjet e Radios Evropa e Lirë, nëse BE-ja është e gatshme të ndryshojë qasjen në dialog, por kanë kërkuar angazhim për të përmbyllur marrëveshjen për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.
Nën ndërmjetësimin e BE-së, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Pas një pauze 20-mujore, dialogu rinisi në korrikun e vitit 2020.
Takimi i fundit i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua në shtatorin e vitit të kaluar.
Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut.