I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, të martën, do të vizitojë Kosovën.
Këtë e ka bërë të ditur këshilltari politik në Qeverinë Hoti, Xhavit Beqiri.
“Lajçak do të vijë nesër në Kosovë për vizitë dhe do të takohet me kryeministrin Hoti, mirëpo nuk e dijmë orën e saktë por për këtë do të njoftoheni nga zyra e Kryeministrit”, ka thënë ai për KOHËN.
Sot ishte paralajmëruar takimi i Këshillit të Bashkimit Evropian dhe diskutimi në nivel ekspertësh rreth dialogut Kosovë-Serbi. Për Lajçakun, ky diskutim ndodh për herë të parë që kur është emëruar i dërguar i posaçëm për dialogun. Normalizimi i raporteve midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë tema e parë e takimit në mes të ministrave evropianë.
Ndërkaq, një ditë më herët, Lajçak ka reaguar lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, çështje kjo e cila u bë shkak për ngecje në dialogun me Serbinë.
“Kur, nëse jo tash? Vetë e keni nënshkruar marrëveshjen”, ka thënë ai të dielën në një intervistë për një media të huaj.