I dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha se takimi i ardhshëm në Bruksel, i cili do të mbahet më 27 shkurt në nivelin më të lartë politik, është domethënës dhe se hapat e ardhshëm dhe pranimi i propozimeve të mbështetura nga të gjithë anëtarët e BE-së dhe SHBA-të varen nga pikëpamjet e palëve.
Lajçak përkujtoi se që nga shtatori kanë biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe se njëri në janar e tjetri në shkurt kanë thënë se e pranojnë në parim propozimin evropian.
“Tani ka ardhur koha që ata të pranojnë zyrtarisht dhe publikisht propozimin dhe pastaj të diskutojnë zbatimin e tij”, tha Lajçak për Tanjug.
Siç shtoi ai, është e rëndësishme që palët ta pranojnë zyrtarisht dhe publikisht dhe të diskutohen detaje të tjera.
Lajçak thekson se nëse të dyja palët e refuzojnë propozimin, kjo do të dërgonte një sinjal negativ se nuk janë të gatshëm të normalizojnë marrëdhëniet dhe të shkojnë në rrugën evropiane.
“Të gjithë e dinë se çfarë presim nga takimi, të gjithë e dinë se ku jemi”, tha Lajçak