Lajçak: Drafti i Ekipit Menaxhues, pikënisje për diskutimet e ardhshme


I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar diplomaten zvicerane, Livia Leu, me të cilën ka diskutuar për ecurinë në dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërsa, kanë folur për ngjarjet në tërë Ballkanin Perëndimor, Lajçak e ka vlerësuar me më rëndësi takimin e nivelit të lartë në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb.

Lajçak ka deklaruar se drafti i paraqitur nga ekipi menaxhues është pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme.

“Palët gjithashtu bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Megjithëse drafti i parë i paraqitur nga ekipi menaxhues nuk është përfundimtar, ai është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e Kryenegociatorëve”.

Lajçak ka thënë se është i kënaqur që palët janë dakorduar që të punojnë bashkë për zgjidhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Ai ka shtuar se pret që të bëhet përparim në këtë temë.

“Ngjarja më e madhe e javës ishte padyshim takimi i Dialogut të Nivelit të Lartë i organizuar nga BE-ja dhe i asistuar nga unë, i cili u zhvillua të martën e kaluar. Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti u takuan në Bruksel për të diskutuar një çështje vendimtare të personave të zhdukur. Jam i kënaqur që të dy udhëheqësit ranë dakord të punojnë së bashku për të sqaruar vendndodhjen e njerëzve që u zhdukën gjatë luftës. Ne mirëpresim miratimin e palëve të deklaratës për personat e zhdukur dhe presim që ato të bëjnë përparim në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur. Kjo jo vetëm që do t’i ndihmojë familjet e tyre të gjejnë paqe, por edhe do të avancojë normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar Lajçak.

Ekipi Menaxhues për hartimin e draftit për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe qe shkarkuar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës. Drafti i parë i prezantuar është cilësuar si i papranueshëm për Kosovën nga kryeministri Albin Kurti.