Dialogu Prishtinë – Beograd, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, u zhvillua të dielën në Bruksel përmes një video-konference.
Përfaqësuesin i posaçëm i BE-së Miroslav Lajçak, tha se është arritur pajtueshmëri për agjendën e takimit të radhës në Bruksel.
“Jam i lumtur të them se pas Samitit të Parisit dhe takimit të sotëm midis Kosovës dhe Serbisë, dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve është kthyer në rrugë të drejtë pash 20 muajsh. Si rezultat i takimit të sotëm, ne u pajtuam për elementet kryesore të procesit dhe agjendës së takimit tonë të radhës që do të mbahet të enjten në Bruksel. Falënderoj parterët përangazhimin konsturktiv”, tha Lajçak.
Para fillimit të dialogut, Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thënë se arritja e një marrëveshjeje është thelbësore për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse, finale dhe ligjërisht obliguese.
“Jam i lumtur se po rifillojmë tani dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës përmes video-konfetrencës për shkak të rrethanave. Mirëpres përkushtimin e të dyja palëve. Synimi ynë është i qartë, të rifillojmë punën serioze dhe të ngjeshur për normalizimin e raporteve mes dy palëve”, ka thënë një një video-porosi Borrell.
“Sot jam i shoqëruar nga përfaqësuesin i posaçëm i BE-së Miroslav Lajçak. BE-ja vazhdon të jetë e gatshme të mbështes dhe lehtësojë përpjekjet për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, finale dhe ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve. Një marrëveshje që adreson të gjitha çështjet e hapura. Një marrëveshje e tillë është kruciale për të ardhme më të mirë, për njerëzit në Kosovë dhe Serbi. Është thelbësore për perspektivën evropiane të tyre dhe për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. E gjithë kjo është thelbësore edhe për Bashkimin Evropian”, ka thënë Borrel.
Shefi i diplomacisë së BE-së ka thënë se “ mungesa e një zgjidhjeje e pengon zhvillimin e të dyja palëve”.
“E dimë se nuk është një proces i lehtë, nuk ka qenë asnjëherë, por ka një urgjencë që të punohet drejt paqes dhe stabilitetit për të ardhmen tonë të përbashkët. Kjo kërkon guxim politik nga të dyja palët. Kërkon përkushtim dhe angazhim në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit. Nuk ka qenë kurrë lehtë të gjendet zgjidhje për problemet që kanë zgjatur aq shumë dhe aq të dhimbshme, por kjo është arsyeja pse sot jemi këtu për të provuar përsëri”, ka thënë Borrell.
Nga shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) është njoftuar se Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrel, dhe i dërguari i posaçëm për dialog Miroslav Lajçak, së pari do të kenë biseda me njërën palë, pastaj me tjetrën për të mbajtur në fund një konferencë të përbashkët të kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
BE vlerëson se me këtë takim shënohet rifillimi i dialogut pasi takime në nivelin e lartë nuk ka pasur që nga viti 2018.
Për t’i inkurajuar palët që të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialog, të premten ishte zhvilluar një samit virtual mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë me ndërmjetësimin e presidentit të Francës Emanuel Macron dhe kancelares Gjermane Angela Merkel.
Në këtë takim palët kishin paraqitur qëndrimet e tyre. Diplomatët në Bruksel, të njoftuar edhe me përmbajtjen e konferencës së nivelit të lartë nga 10 korriku, thonë se nuk do të jetë e lehtë të arrihet marrëveshja pasi është qartë se palët janë shumë larg në qëndrimet e tyre.
Por, ata besojnë se BE-ja është në pozitën më të mirë për të ndërmjetësuar arritjen e një marrëveshjeje.
“Synimi ynë është që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve, përfshirë edhe me një dokument ligjërisht obligues. Për të arritur këtë, në tryezë duhet të shtrohen të gjitha çështjet e hapura mes palëve”, ka thënë një zyrtar i BE-së.
Takimi i së dielës është dashur të zhvillohej në Bruksel me praninë fizike të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Por, ky takim është shtyrë për datën 16 korrik në Bruksel. Ndonëse në BE nuk kanë përmendur zyrtarisht arsyet e shtyrjes së këtij takimi, dhe zhvillimin e tij vetëm përmes video-konferencës, burimet diplomatike në Bruksel kanë thënë se një shtyrje të tillë e ka kërkuar Qeveria e Kosovës.
Për Bashkimin Evropian është me rëndësi që të shënohet rifillimi i dialogut të dielën e kjo të konfirmohet të enjten. Pastaj, palët do të kenë një periudhë gjatë së cilës duhet të përgatiten dhe të dakordojnë një agjendë sipas së cilës do të punohej në vjeshtë.
Zyrtarët e BE-së vazhdojnë të pohojnë se situata e brendshme në Kosovë dhe tensionet në Serbi për shkak të protestave të ditëve të fundit nuk ndikojnë në agjendën e dialogut sepse, siç thonë “janë gjëra të ndara”.
Por, një numër i konsiderueshëm i diplomatëve me të cilët ka biseduar Evropa e Lirë kanë thënë se suksesi i dialogut gjithsesi do të varet edhe nga situata e brendshme si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.