Në Kuvendin e Kosovës nuk është miratuar rezoluta e propozuar nga grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ndër të tjera i kërkonte Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe Qeverisë së Kosovës të mos pranojnë tarifat e propozuara për ngritje të çmimit të energjisë elektrike.
Rezoluta gjithashtu kërkonte që ekzekutivit të sjellë sa më parë në Kuvend projektligjin për paga.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës i rekomandon Zyrës së Rregullatorit të energjisë (ZRRE) dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës të mos i miratojnë, respektivisht të mos i pranojnë tarifat e propozuara për ngritje të çmimit të energjisë. Qeveria e Republikës së Kosovës të nxjerrë sa më parë një masë të përhershme dhe konsistente që i zbutë vështirësitë ekonomike. Duke marrë parasysh rritjen e çmimeve të imputeve bujqësore, Qeveria e Republikës së Kosovës të destinojë mjete shtesë buxhetore për financimin direkt dhe subvencionimin të bujqve. Qeveria e Republikës së Kosovës të sjellë sa më parë në Kuvend projektligjin e pagave për miratim”, ka thënë Pal Lekaj.
Deputeti Pal Lekaj derisa ka prezantuar rezolutën ka kërkuar mbështetje nga të gjithë deputetët.
“Sot ju ftoj të jemi unik dhe të na bashkoj interesi i qytetarëve. Nuk ju bie keq nëse Vetëvendosje e voton këtë rezolutë”, ka thënë Lekaj.
Rezoluta e propozuar nga AAK mori 22 vota për, 49 abstenime dhe asnjë kundër.
Seanca e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë nesër ku në rend dite janë marrëveshjet ndërkombëtare.