Kuvendi ia vë në dispozicion Kushtetueses “Punimet përgatitore”, ka dyshime për vërtetësinë e tyre

Gjykatës Kushtetuese i janë vënë në dispozicion dokumentet e quajtura “Punime përgatitore” me rastin e hartimit të Kushtetutës së Kosovës.

Ato ia ka dërguar Administrata e Kuvendit të Kosovës, pas kërkesës së Kushtetueses, pasi Gjykata synon t’i ketë udhërrëfyes me rastin e shqyrtimit të çështjes së dekretit presidencial për mandatarin e qeverisë.

Por Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani i ka dërguar sot një letër Kryetares së Kushtetutës, Arta Rama-Hajrizi duke ia bërë të qartë se institucioni që udhëheq ajo nuk është autor i këtyre dokumenteve, as që i ka pasur ndonjëherë në posedim.

Më tej, Osmani ka thënë se Kuvendi nuk mban asnjë përgjegjësi lidhur me vërtetësinë e dokumenteve të dërguara, teksa ka përmendur mundësinë që të ketë pasur ndërhyrje në to.

“Kuvendi nuk mund të vërtetojë autenticitetin e këtyre dokumenteve dhe as nëse ndonjëherë ka pasur ndërhyrje në to; Kuvendi nuk mund të vërtetojë se kush i ka poseduar këto dokumente para se ato të dërgoheshin në Arkivat e Kosovës, si dhe nëse gjatë këtyre viteve ka pasur ndërhyrje në to”, shkruan mes tjerash në letrën e Osmanit, të cilen ka arritur ta sigurojë KOHA.

Ajo ka shtuar se Kuvendi i Kosovës nuk i ka poseduar ndonjëherë këto dokumente, deri më 14 maj 2020, kur një kopje i është dhënë nga Agjencia Shtetërore e Arkivave. Ato nuk janë publikuar asnjëherë në Gazetën Zyrtare ose në burime tjera zyrtare.

Sipas asaj që ka thënë kryeparlamentarja, Kuvendi ka vepruar vetëm si lehtësues komunikimi ndërmjet Arkivit të Kosovës dhe Gjykatës Kushtetuese.

KOHA ka biseduar me njërin prej ekspertëve qe ka marrë pjesë në hartimin e Kushtetutës. Sipas tij, në draftet fillestare është diskutuar neni qe i referohet mandatarit të qeverisë. Ai ka thënë se, në fillim është trajtuar mundësia qe e drejta e formimit të qeverisë t’i jepet edhe partisë së dytë apo të tretë. Por, sipas tij heqja e përgjegjësisë nga ana e Kuvendit për autenticitetin dhe vërtetësinë atyre dokumenteve, dhe mos publikimi i tyre në Gazetën Zyrtare ia pamundëson Gjykatës Kushtetuese që të thirret në to me rastin e nxjerrjes së aktgjykimit.

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.Nga Fitim Gashi18 maj 2020, 11:06

  • Shpërndaje në