Pavarësisht debateve dhe zërave kundër nga radhët e opozitës, por edhe të vetë kryeministrit Edi Rama, Kuvendi ka miratuar sot rritjen e pagave për deputetët dhe ministrat me shumicë të thjeshtë votash.
Mësohet se 95 deputetë votuan pro këtij projektligji, ndërsa 3 kundër. Po ashtu, 5 deputetë refuzuan që të votonin, ndërsa asnjë prej ligjvënësve nuk abstenoi.
Sa rriten pagat
Presidenti nga 257.000 lekë në 425.000 lekë
Zv.Kryeministri 187.000 lekë 330.000 lekë
Kryetari I Kuvendit dhe kryeministri 229.000 lekë 393.125 lekë
Ministri 175.000 lekë 318.750 lekë
Deputeti 157.000 lekë 310.250 lekë
Kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit paga u rritet në thuajse 400 000 lekë bruto nga 228 000 lekë që është sot.
Ish kryeministri Sali Berisha e konsideron farsë projektligjin e qeverisë për rritjen e rrogave.
Duke folur për mediat jashtë Parlamentit, Berisha tha se ky proces duhet të kishte filluar me një minimum jetik prej 200 Eurosh.
“Një farsë e turpshme me përmasa cinike të një cinizmi dhe pashpirtësie dhe hipokrizie të paparë u zhvillua sot në parlament. Pasi mashtroi shqiptarët, duke paraqitur rrogën e presidentit, të admiralit dhe të Rezartit, të gjitha këto nga 2.2 në 4.6 milionë lekë rritje, solli në parlament një ligj, në të cilin ata që janë më në nevojë, largimi i të cilëve po shkatërron Shqipërinë, mjekët, mësuesit, policët, ushtarakët, përfitojnë një rritje 1 përqind ose minus 1 përqind.Një akt i tillë është jashtë çdo imagjinate. Një cinizëm i tillë ndaj punonjësve të këtij vendi, tejkalon çdo cak.
Kam qenë dhe do jem gjithnjë për rritjen e rrogave, kjo nuk ka diskutim. Nëse ka një faktor shkatërrimtar për këtë vend, kjo është ngrirja e rrogave. Por sot kjo farsë, ky akt ku dyfishohen rrogat e zyrtarëve më të lartë dhe rriten me 1 përqind ose zbresin- se kjo është përllogaritja me inflacionin e INSTAT, se me përllogaritjen e Eurostat, rënia është më e madhe se kaq. Kam insistuar se ky proces të fillojë me vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh. Ky duhej të ishte akti i parë për t’i dhënë përgjigje kësaj situate të rëndë, këtij mjerimi të frikshëm të krijuar në Shqipëri.
Në vend që të fillonte me vendosjen e minimumit jetik, që do i jepte përgjigjen përfundimtare ndihmës ekonomike dhe pensioneve nën 200 euro dhe bënte një zbutje të mjerimit, minimumi jetik zhduk mjerimin në kuptimin e varfërisë ekstreme. Ishte një masë plotësisht e mundshme, kur dihet që qytetarëve u vidhet çdo vit dyfishi i fondit të përgjithshëm të rrogave. Kjo u mbyll në mënyrën më të turpshme nga njerëzit që vjedhin shqiptarët nga mëngjesi deri në darkë. Ne nuk do e votojmë”, tha ish-Kryeministri Sali Berisha.
Duke folur për rritjen e pagave për deputetët dhe ministrat, Rama tha se këtë e përcakton piramida e pagave që funksionon njësoj dhe në shtetet e tjera të rajonit dhe Europës.
Por Kryeministri theksoi se nuk është dakord që rritja e pagave për ministrat dhe deputetët të miratohet në këtë moment.
“Niveli i pagave nuk përcaktohen sipas qejfit, përcaktohen me një logjikë. Ka një piramidë pagash.
Nuk mund të ndërtosh një piramidë pagash dhe të vendosësh presidentin nën një mësues. Pavarësisht se puna e përditshme e një mësuesi mund të jetë më me stres. Kemi bërë ne një lajthitje që e kemi bërë me vetëdije, madje e kemi tepruar me sistemin e drejtësisë. Por ajo është bërë dhe nuk zhbëhet. Nuk mund të kemi prokurorë që paguhen më shumë se presidenti. Mund ta kenë punën më me stres se presidenti por nuk mund të kemi. Doni ju të bëni këtë qarjen e halleve? S’ka nevojë që shtesën e pagave t’ja coni jetimores. Hajde vendosni pagën minimale këtu për deputetët. Gati jam. Edhe ministrave. Çfarë stresi më të madh keni ju se ata që shkojnë punojnë fason? Unë mendoj se nuk i hyet këtij monopati për t’u tallur me ata që na ndjekin. Dhe prapë ju nuk e mësoni që shqiptarët kush i merr për budallenj mund të gënjejë disa për një farë kohe por vjen një ditë siç erdhi në Shkodër dhe firojnë ata. Unë mendoj që ju duhet të ikni për pambuk nëse ne duam të kemi një skenë politike siç e meritojnë shqiptarët sepse ju e keni treguar që nuk e bëni dot.
Pagat duhet të jenë siç janë në piramidën e propozuar dhe siç i ka gjithë bota. Në rajon janë po kështu. Nuk kam parë asnjë vend të rajonit që pagat e deputetëve ti ketë sa pagat e mësuesve. Nuk kam parë asnjë vend të Europës, nuk kam parë askund. Ideja që deputetët mblidhen kot edhe janë kot e ka bazën tek gjithë pabesia historike që partia ish demokratike i ka bërë politikës me gjithë atë llum me gjithë ato akuza, shpifje, maskarallëqe, me gjithë atë transformim të gjuhës e njerëzve me shkolla që ju të gjithë jeni në jetën normale, në një gjuhë që nuk ka asnjë lidhje me ato që ju doni që fëmijët tuaj të mësojnë. Politika nuk është kjo. Politikë është ajo që bëjmë ne. Si e bëjmë ne ashtu është politika. Këtë që keni mbjellë 30 vjet, nuk mund ta korrni dot duke thënë që do ja jap pagën time jetimores. Për mua, unë njoh për fat të mirë këtu në këtë grup njerëz që e meritojnë atë pagë dhe e meritojnë me respekt jo thjesht e meritojnë. Dhe nuk janë 1-2. Njerëz të cilët me atë pagë jetojnë. Se ky nuk është vendi i kriminelave, drogaxhinjve, ky nuk është vendi i hajdutëve, është një vend që mund të ketë me siguri ndonjë që nuk duhet të jetë këtu fare por duhet të ishte me kohë në fakt prapa diellit, por ky nuk është vendi i llumit.
Fakti që këtu pastaj shpërfytyroheni dhe ktheheni në bisha që doni të hani mish njeriu nuk ka lidhje me të vërtetën. Deputeti, për misionin që ka, meritojnë pagën e propozuar. Sa e bëjnë punën? Këto nuk lidhen me si vihet paga. Ama unë me një gjë jam kundër. Unë nuk e votoj këtë pikë. Nëse mësuesve dhe mjekëve ju themi që ju do merrni sot këtë rritjen dhe rritjen tjetër do ta merrni në harkun e vitit dhe ne do kemi mesataren 900 Euro në Shqipëri në mes të vitit të ardhshëm, atëherë për ministrat dhe deputetët paga duhet të hyjë në fuqi vetëm kur të jetë bërë për të gjithë. Ky është qëndrimi im. Kjo është e pamoralshme. Kush merr më shumë duhet të bëjë më shumë. Ky është principi jonë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.