Kuvendi i Shqipërisë ka refuzuar të enjten kërkesën e një deputeti të opozitës për të shqyrtuar dhe mbështetur një rezolutë që dënon krimet e kryera nga forcat serbe në Srebrenicë në vitin 1995 si gjenocid.
Propozimi i deputetit të Partisë Demokratike Tritan Shehu u hodh poshtë nga votat e deputetëve të Partisë Socialiste, që përbëjnë shumicën në Kuvendin e Shqipërisë.
Shehu tha para deputetëve se refuzimi i Kuvendit të Shqipërisë ta dënojë gjenocidin serb në Srebrenicë dhe ta detyrojë Serbinë që të njohë krimet e saj “është vepër e shëmtuar, një shfaqje paprecedent, një shfaqje turpi.”
Propozimi për rezolutë për ta njohur Srebrenicën si gjenocid të kryer nga forcat serbe dhe hedhja poshtë e propozimit u bë shkas për një përplasje të radhës mes deputetëve të Partisë Demokratike në opozitë dhe Partisë Socialiste në pushtet, të cilët nga foltorja e Kuvendit shkëmbyen akuza të rënda ndaj njëri-tjetrit në raport me qëndrimet ndaj luftës në Bosnje e Hercegovinë.
Ish Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha akuzoi udhëheqësit e Shqipërisë për “marrëdhëniet miqësore” me Presidentin e Serbisë AleksandarVuçiq, të cilin e quajti “frymëzues të gjenocidit serb, një Putin i vogël, i gatshëm ta përsërisë atë në çdo kohë.”
Deputeti socialist Taulant Balla theksoi që Shqipëria ka njohur tragjedinë në Bosnjë dhe akuzoi Berishën, i cili atëbotë ishte president i Shqipërisë, për rolin që Shqipëria ka luajtur karshi luftërave në ish-Jugosllavi.
“Është e pakuptueshme që një njeri që është i vetmi në këtë sallë që ka përgjegjësi direkte të turpit që ka marrë Shqipëria e asaj kohe,” tha Balla. “Gjenocidi serb është ushqyer me naftën prej teje, Sali.”
Debati rreth rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë vjen në një kohë kur Shqipëria synon rol më aktiv në rajon, përfshirë një riformulim të marrëdhënieve me Serbinë përfshirë përmes iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur,” ide e cila është përkrahur nga Serbia por është refuzuar nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, të cilat konsiderojnë se kanë probleme të pazgjidhura me Serbinë. Së fundi, kryeministri i ri i Malit të Zi Dritan Abazoviq ka mbështetur këtë iniciativë.
Mirëpo, përkundër klasifikimit ndërkombëtar që krimet në Srebrenicë të njihen si gjenocid, në Serbi autoritetet shtetërore vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin dhe të mohojnë që krimet në Srebrenicë ishin gjenocid.