Kuvendi i Kosovës voton në parim Projektligjin për Pagën Minimale, pa Veteranët e UÇK-së

Me 68 vota për, asnjë kundër dhe gjashtë abstenim deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim Projektligjin për Pagën Minimale.

Projektligji parasheh ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Për këtë ishte debatuar shumë kohëve të fundit, madje edhe ishte organizuar një protestë nga organizatat e dala nga lufta, pasi pensionet e veteranëve nuk ishin përfshirë në Projektligj.

Në muajin prill, Qeveria e Kosovës kishte miratuar Projektligjin që e cakton pagën minimale në vlerë prej 264 euro bruto ose 250 euro neto, duke larguar tatimin për këtë nivel.

Partia Demokratike e Kosovës e bojkotoi këtë seancë me arsyetimin se po u bëhet e padrejtë veteranëve.

Ky projektligj është kundërshtuar nga partitë opozitare.

Projektligji i miratuar parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar nga viti 2011.

Aktualisht, paga minimale në Kosovë është e ndarë në dy kategori: 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç.

Ky projektligj i miratuar në parim në Kuvendin e Kosovës është kundërshtuar nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për shkak të mospërfshirjes së të tyre në rritjen e pagës minimale.

Veteranët e UÇK-së kanë protestuar më 6 qershor para Kuvendit të Kosovës, për shkak të mospërfshirjes së pensioneve të tyre në rritjen e pagës minimale.

Deri më 2017, pensioni i veteranëve nuk ka mundur të jetë më pak se paga minimale në Kosovë, që është 170 euro, dhe kjo është sa aktualisht marrin.

Por, sipas zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziut, nga 2017, kur është bërë një plotësim-ndryshim i Ligjit për veteranët e luftës, një ndërlidhje e tillë më nuk parashihet.

Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare nga Qeveria e Kosovës, statusin e Veteranit Luftëtar e kanë 53,188 persona, kurse, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 37,006 janë përfitues nga skema për veteranët e luftës.