Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të martën se vendimi i Kuvendit të Kosovës më 8 korrik 2021 për ta shkarkuar Bordin e Radio Televizionit të Kosovës nuk është në përputhje me Kushtetutën, por vendimi nuk ka efekt prapaveprues dhe nuk afekton të drejtat e fituara të palëve të treta.
Më 8 korrik 2021, Kuvendi i Kosovës shkarkoi Bordin e RTK-së të përbërë nga Sali Bashota, Agron Gashi, Lirim Geci, Fadil Miftari, Ilir Bytyçi, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Albinot Maloku. Shkarkimi u përcoll me kritika të ashpra nga opozita, e cila akuzoi pushtetin se po tenton ta kapë politikisht televizionin publik. Deputetë të opozitës e kishin çuar rastin në Kushtetuese.
Gjykata, sipas njoftimit, ka vendosur njëzëri që të deklarojë kërkesën nga deputetët për Bordin e RTK-së të pranueshme dhe “të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme lidhur me efektet e vendimit të kontestuar”.
“Ndërsa, me pesë vota për dhe dy vota kundër, Gjykata ka vendosur të konstatojë që vendimi [nr.08-V-036] i 8 korrikut 2021 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të RTK-së nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës; dhe konstatimi i lartcekur, përkatësisht Aktgjykimi i Gjykatës, nuk ka efekt prapaveprues dhe nuk afekton të drejtat e fituara të palëve të treta”, thuhet në njoftim.
Opozita ka pretenduar se shkarkimi i Bordit të RTK-së para dy vjetëve është bërë në kundërshtim me kompetencën e Kuvendit të Kosovës, të cilin e ka vërtetuar edhe Kushtetuesja.
Vendimi nuk do të prekë Bordin e ri të RTK-së. Por Bordi i shkarkuar ka të drejtë të ndjekë procedurat përkatëse në gjykatat e rregullta, sipas njoftimit të Kushtetueses.
Vonesën dyvjeçare për të marrë vendim për këtë çështje, Kushtetuesja e ka arsyetuar se deri në dhjetor të vitit 2022, kur ishte dekretuar gjyqtari i radhës, nuk kishte kuorum vendimmarrjeje.