Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi dhe ka urdhëruar u.d presidenten Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në afat prej 40 ditësh.
Vendimi është publikuar të hënën mbrëma në faqen e Kushtetueses dhe ishte unanim.
“Marrë parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në konstatimin e Kushtetueses.
Vota e deputetit Etem Arifi ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor. Hoti u bë shef i ekzekutivit me minimumin e votave të kërkuara – 61 vota.
Arifi është dënuar vitin e shkuar për mashtrim me subvencione, me 1 vjet e 3 muaj burgim efektiv, mirëpo ishte i pranishëm në votimin e Qeverisë Hoti, për çka VV-ja e çoi rastin në Kushtetuese.
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nr. 07/V-014, të 3 qershorit 2020, për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës. Parashtrues të kërkesës në Kushtetuese ishin 17 deputetë të tjerë të VV-së.
Qeveria Hoti pasoi atë të VV-së të udhëhequr nga Albin Kurti.
Konstatimet e Gjykatës Kushtetuese për Rastin Arifi
TË SHPALLË kërkesën të pranueshme;
TË KONSTATOJË se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës;
TË KONSTATOJË se, Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës;
TË KONSTATOJË se, marrë parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre;
TË KONSTATOJË se, ky Aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe mbështetur në parimin e sigurisë juridike vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re;
Vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, lexojeni KËTU