Disa nga komunitetet që pritet të fitojnë ulëse në Kuvendin e Kosovës, kanë kushte për Qeverinë e ardhshme të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ende nuk e ka të sigurt nëse do të arrijë të fitojë shumicën në kuvend.
Komisioni Qendror Zgjedhor ka nisur të merret me votat e arritura nga diaspora me postë. Bëhet fjalë për procesin e parë, atë të verifikimit të 43.447 pakove me fletëvotime nga jashtë, e të cilat mund të përmbajnë më shumë se një votë. Ky proces, megjithatë pritet të marrë disa ditë.
Sipas rezultateve preliminare, LVV ka fituar 47,85% të votave, që sipas projeksioneve mund të përkthehet në 56 ulëse në kuvend. Me votat e diasporës dhe atyre me kusht, parashikimet janë që LVV-ja të arrijë maksimum 59 ulëse në kuvend, apo dy më pak sesa shumica e nevojshme për ta krijuar vetë qeverinë.
Zyrtarët e LVV-së përjashtojnë çdo mundësi që të ftojnë ndonjë parti shqiptare për bashkëpunim dhe thonë se do të kërkojnë partnerë në mesin e komuniteteve joshumicë, duke përjashtuar Listën Serbe.
“Ne presim që të kemi numrin e nevojshëm të deputetëve për formimin e qeverisë dhe institucioneve. Do të presim të shohim edhe deputetët e tjerë të komuniteteve joserbe dhe të shohim për hapat e tjerë të bashkëpunimit”, tha zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu.
Rezultatet finale shpallen pas numërimit të votave me kusht dhe atyre me postë.
Subjektet politike të komuniteteve joshumicë në Kosovë kanë 20 ulëse në Kuvendin e Kosovës, të cilat janë të garantuara me Kushtetutë. Dhjetë janë të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë.
Ndërkaq, dhjetë ulëse të tjera janë të garantuara për komunitetet joserbe. Prej tyre tri ulëse i takojnë komunitetin boshnjak, dy ulëse për komunitetin turk, për përfaqësuesit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nga një ulëse, si dhe një ulëse shtesë për njërën nga këto bashkësi, e cila fiton më së shumti vota. Një ulëse i takon komunitetit goran.
Bazuar në qëndrimet aktuale, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti nuk mund të llogarisë në të gjitha votat e partive nga komunitetet joshumicë, që nuk janë nga komuniteti serb. Njëra nga to, ka kushte specifike për të qenë pjesë e qeverisë. Adrijana Hoxhiq, që në bazë të rezultatit preliminar ka dalë e para nga komuniteti boshnjak, me iniciativën e saj “Komunitetet e Bashkuara”, tha se e ka një kusht për të qenë pjesë e qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje. Tash për tash ende nuk është e qartë nëse Hoxhiq do të fitojë një apo dy ulëse në kuvend.
“Kërkesë e imja është themelimi i dy komunave me shumicë boshnjake. Njëra në rajonin e Prizrenit dhe tjetra në Pejë”, tha Hoxhiq, e cila aktualisht ka fituar 6.379 vota.
“Unë mund të bëhem pjesë e cilësdo qeveri, vetëm nëse ky kusht i imi aprovohet dhe bëhet pjesë e programit qeveritar”, tha Hoxhiq.
“Ka ardhur koha të kuptohet se komunitetit boshnjak i është bërë e padrejtë, pasi janë komuniteti i tretë në Kosovë dhe nuk ka hise në vetëqeverisjen lokale”, shtoi ajo.
Kundërshtarët e saj kanë thënë se Hoxhiq, si dhe një parti rome, Iniciativa Rome, e cila për herë të parë doli në këto zgjedhje, besohet se do të punojnë për interesin e Listës Serbe dhe se pikërisht kjo listë i ndihmoi të fitojnë vota.
Më 15 janar 2021, presidenti i Listës Serbe, Goran Rakiq (në qendër), paraqiti listën e tij të kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, që do të mbahen më 14 shkurt.
“Humbësit gjithmonë gjejnë një shkas. Unë e pranoj se më kanë votuar edhe qytetarë serbë, por mua më kanë votuar edhe shqiptarët, turqit e komunitetet tjera. Më kanë votuar sepse njerëzit më njohin, nuk kam ndryshuar”, tha Hoxhiq.
Qëndrim tjetër kanë në koalicionin e partive boshnjake ‘Vakat’. Rasim Demiri, kryetar i këtij koalicioni, i cili vetë nuk ka mundur të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të një dënimi që ka pasuar nga një gjobë në trafik, tha se aktualisht nuk kanë kushte dhe presin ftesë për bashkëqeverisje.
“Ne jemi të gatshëm të punojmë me çdo qeveri, edhe me zotin Kurti, të cilin e uroj për fitoren e madhe. Nëse kemi ftesë nga zoti Kurti për të formuar qeverinë dhe për bashkëpunim, ne jemi të gatshëm”, tha Demiri, koalicioni i të cilit, sipas projeksioneve aktuale do të ketë një ulëse nga komuniteti boshnjak në kuvend.
Të gatshëm për bashkëpunim me qeverinë e udhëhequr nga Vetëvendosje, janë edhe nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP), e cila sipas projeksioneve, do të ketë dy ulëset e kuvendit, të garantuara për këtë komunitet. Këtë e konfirmoi udhëheqësi i KDTP-së, Fikrim Damka.
“Ne kemi qenë gjithmonë të gatshëm të kontribuojmë për të ardhmen e Kosovës. Jemi të gatshëm të kontribuojmë edhe në këtë qeveri, por ende nuk kemi pasur asnjë takim. Për ne, është e rëndësishme që të pajtohemi për programet e përbashkëta, të LVV-së dhe KDTP-së. Mendoj se mund të pajtohemi për programin qeverisës katërvjeçar”, tha Damka.
Elbert Krasniqi, nga komuniteti egjiptian, që drejton Iniciativën e re Demokratike të Kosovës, sipas rezultateve aktuale, ka fituar sërish ulëse në kuvend. Edhe në legjislaturën e kaluar, ai ishte pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, gjë të cilën tha se do ta vazhdojë edhe në legjislaturën e ardhshme.
“Në parim, ne nuk kemi kushte, por jemi të interesuar që të shohim zhvillim të gjithmbarshëm në Kosovë, e në këtë rast edhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve të komunitetit tonë dhe komuniteteve të tjera. Jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e kuvendit dhe që mund të mbështesim Qeverinë Kurti”, tha Krasniqi.
Sidoqoftë, ai shpreh shqetësim për përfaqësimin e komuniteteve të tjera, pasi siç tha, do të kontrollohen nga Lista Serbe.
“Do të përballemi me një situatë të re, ku disa deputetë të komuniteteve do të kontrollohen nga Lista Serbe”, tha Krasniqi.
Danush Ademi duket se ka fituar edhe një mandat në Kuvendin e Kosovës, si përfaqësues i komunitetit ashkali. Ai tha se për të qenë pjesë e qeverisë, e ka një kusht të vetëm.
“Gjatë fushatës, kemi parë që shumë njerëz kanë nevojë për shtëpia. I vetmi kusht që kam është që gjatë mandatit katërvjeçar, të ndërtohen 1.000 shtëpi gjatë katër vjetëve të qeverisë së ardhshme për skamnorët e të gjitha komuniteteve. Tjera kushte nuk kemi dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me qeverinë e ardhshme Kurti”, tha Ademi.
Nga radhët e komunitetit rom në Kuvendin e Kosovës do të hyjë edhe subjekti Iniciativa Rome, e udhëhequr nga Gazmen Salijeviq. Në një bisedë për REL, ai tha se do të jetë i gatshëm të bisedojë me liderin e LVV-së, sapo të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve.
“Ne do të ulemi të bisedojmë. Fillimisht është e rëndësishme që qeveria e re të prodhojë stabilitet dhe zhvillim për Kosovën. Në këtë aspekt, jemi të gatshëm të kontribuojmë”, tha Salijeviq.
Ai thotë se ka arritur të fitojë në këto zgjedhje, pasi njerëzit kanë qenë të pakënaqur me atë çfarë është bërë deri më tash.
“E njëjta ndodhi edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, apo jo?”, shtoi Salijeviq.
Tradicionalisht, partitë e komuniteteve joshumicë kanë qenë pjesë e ekzekutivit. Por, më 2020, kur qeverinë e udhëhoqi Kurti, Lista Serbe, zyrtarisht nuk u bë pjesë e koalicionit qeverisës, por asaj iu dhanë nën udhëheqje dy ministri, gjë që parashihet me Kushtetutën e Kosovës. /Rel/