Këshilli i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës ka votuar mbrëmë Kryesinë e re të PDK-së të propozuar nga lideri i opozitës, Memli Krasniqi.
Siç ka deklaruar edhe vet Krasniqi, PDK në përbërjen e lidershipot të ri la arritur të ruaj ADN-në e saj që buron nga UÇK-ja duke pasur brenda vetes njerëz të devotshëm e atdhetar që janë rritur organikisht në PDK, por edhe duke u hapur për kuadro të reja që i besojnë vizionit të PDK-së.
Por, kush janë emrat e rinj të Kryesisë së PDK-së?
Bernard Nikaj – profesor, diplomat, ish- ambasador i Kosovës në Bruksel, i është bashkuar PDK-së në Kryesinë e re.
Nikaj është i shkolluar në disa prej universiteteve më prestigjioze botërore.
Ai është vlerësuar lart nga autoritetet e shteteve mike të Kosovës për përfaqësimin dinjitoz të shtetit në politikën e jashtme.
Profesoresha e njohur e Psikologjisë, Donika Shahini-Lami, është bërë pjesë e Kryesisë së PDK-së dhe anëtare e Këshillit Drejtues.
Profesoresha Donika Shahini-Lami, më parë ka punuar për 10 vite në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë, OSBE.
Ajo po ashtu njihet për punën e saj si gazetare gjatë luftës në Kosovë si dhe ka punuar për Televizionin Publik Japonez, NHK si dhe ka bashkëpunuar me media të ndryshme ndërkombëtare.
Në Kryesinë e re të PDK-së është zgjedhur edhe Jakup Nura, bashkëpunëtor i ngushtë i Komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari nga fillimet e para të organizimit të luftës çlirimtare.
Ai vjen nga një familje e respektuar e Drenicës, shtëpia e së cilës ka qenë ndër adresat e para të UÇK-së.
Anëtare e re e Kryesisë së PDK-së ështe zgjedhur edhe Besa Kabashi-Ramaj, e shkolluar në Universitete Amerikane, dhe me përvojë mbi 10 vjeçare në fushat e sigurisë ndërkombëtare, politikat e mbrojtjes dhe menaxhmentit.
Ajo ka punuar për shumë organizata e fondacione të njohura vendore e ndërkombëtare.
Pjesë e Kryesisë së re të PDK-së është bërë edhe Bekim Çollaku. Ai është i shkolluar në Britani të Madhe, me përvojë të gjatë institucionale e politike. Ai ka qenë bashkëpunëtor i afërt dhe shef stafi i kryeministrit dhe presidentit Hashim Thaçi.
Në Kryesinë e re të PDK-së është zgjedhur edhe Adri Nurellari, politolog, pedagog e publicist.
Nurellari ka qenë më parë shef i kabinetit të kryetarit të PDK-së Kadri Veseli dhe keshilltar
i ish-kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi.
Po ashtu, për herë të parë në Kryesinë e PDK-së janë zgjedhur edhe Petrit Hajdari, Rashit Çalaj, Nexhat Demaku, Kujtim Gashi dhe Muhamet Haliti. /Lajmi.net/