Kush është Vjosa Osmani

Vjosa Osmani Sadriu, aktualisht është ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës.

Dr. Vjosa Osmani Sadriu u lind më 17 maj 1982 në Mitrovicë, në Kosovë.

Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka mbaruar në Mitrovicë, ndërkaq Fakultetin e Drejtësisë e ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës.

Studimet Master dhe studimet e Doktoraturës i ka të mbaruara në Universitetin e Pittsburghut në Pensilvani, ShBA.

Ajo është zgjedhur deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës në katër mandate, kështu duke u bërë gruaja më e votuar në histori të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë si dhe politikania e dytë më e votuar në zgjedhje parlamentare. Në mandatet e kaluara ajo ka udhëhequr Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Komisionin për Integrime Evropiane dhe ka qenë Nënkryetare e Komisionit për Reformë Kushtetuese.

Më 3 shkurt 2020, Vjosa Osmani u zgjodh kryetarja e parë grua e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më 5 nëntor 2020, ajo mori detyrën e u.d. si Presidente e Republikës së Kosovës.

Gjatë viteve 2006-2010, Vjosa Osmani ka shërbyer si Shefe e Stafit të presidentit Sejdiu dhe Këshilltare e Lartë për çështje Ligjore dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Ajo ka përfaqësuar Presidentin në Komisionin për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ka qenë anëtare e ekipit përfaqësues të Republikës së Kosovës në rastin para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Që nga viti 2006 ka ligjëruar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa si profesor vizitor ka ligjëruar edhe në Universitetin e Pittsburghut në ShBA. Për disa vite ka ligjëruar edhe në RIT – Kosovo (AUK), Kolegjin AAB – Riinvest si dhe ka mbajtur ligjërata tematike në universitete të tjera në Evropë e në ShBA.

Nga Universiteti i Pitsburgut është nderuar me çmimin “Sheth International Award”.

Është anëtare e Bordit të Rrjetit Parlamentar të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe anëtare në Komisionin Drejtues të Deputetëve të rinj të Bankës Botërore dhe FMN-së.

Flet gjuhën angleze, turke, serbokroate dhe komunikon në spanjisht. Është e martuar dhe ka dy vajza binjake. Jeton në Prishtinë.