Avdullah Hoti, i lindur më 4 shkurt 1976, në fshatin Ratkoc të komunës së Rahovecit, është politikani nga Rahoveci që pritet ta zërë vendin e kryeministrit Albin Kurti. Ai edhe në vitin 2017 ka qenë kandidat për kryeministër të Kosovës në koalicionin PDK-LDK (115 mijë e 600 vota).
Avdullah Hoti është propozuar nga partia e tij Lidhja Demokratike e Kosovës, së bashku me AAK-në e Nismën si kandidat për kryeministër të Kosovës, pas rrëzimit të Kurtit me mocionin e mosbesimit.
Hoti tashmë është zyrtarisht i nominuari i LDK-së për kryeministër të Republikës së Kosovës, i cili pritet të votohet sot duke filluar nga ora 11:00 pas një përvoje të gjatë e të suksesshme në institucionet e vendit. Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese atij i hapet rruga për t’u bërë kryeministri i tetë i Republikës së Kosovës.
Por kush është Avdullah Hoti që tashmë është zyrtarisht emri për kryeministër?
Përvoja akademike:
Studimet universitare Bachelor i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, për të vazhduar më tej me studimet e Magjistraturës dhe të Doktoraturës në Staffordshire University, në Britani të Madhe. Është mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës.
Në të kaluarën ka punuar si hulumtues me kohë të pjesshme në Institutin Riinvest, në Prishtinë. Ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës dhe anëtar i disa këshillave profesionale dhe akademike në vend dhe jashtë vendit.
Ka botuar gjashtë libra në gjuhën angleze dhe gjashtëmbëdhjetë artikuj shkencor në revista ndërkombëtare lidhur me tregun e punës, zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin, arsimin, migrimin dhe remitancat etj.
Karriera politike
Zëvendëskryeministër i Parë i Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-së në koalicionin LDK-VV(2020).
Kryetar i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Legjislaturën e VI-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë periudhës 2017-2019.
Në vitet 2014-2017, ka shërbyer si Ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës. Në vitin 2014 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Që nga viti 2011 ka kryesuar Këshillin e Ekspertëve të LDK’së.
Për një mandat, 2010-2013, ka qenë Nënkryetar i Komunës së Prishtinës. Ndërsa në vitet 2008-2009 ka qenë këshilltar për Ekonomi i Kryetarit të komunës së Prishtinës.
Pasuria:
Avdullah Hoti në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) ka deklaruar në pronësi edhe tri banesa të vogla. Njëra me 67 metra katrorë e blerë më 2010, tjetra vetëm 57 metra e blerë më 2015 dhe e fundit 69 metra e blerë më 2018.
Avdullah Hoti është i martuar dhe ka dy djem, Ledionin dhe Antianin.