Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka komentuar tensionet dhe debatet e ashpra mes deputetëve të pozitës dhe opozitës në seancën e sotme të Kuvendit.
Në një konferencë për media, Kusari – Lila tha se nuk do të lejojnë që një gjuhë e tillë degraduese të mbizotëroj në Kuvendin e Kosovës.
Ajo tha se deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, Ardian Kastrati dhe shefi i GP të kësaj partie, Abelard Tahiri, kanë vazhduar me sharje, ofendime të rënda e deri në kërcënime ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ndaj deputetëve të VV-së.
“Qasja që sot mundohet të ndryshohet ajo që ka ndodhë në 2015, se kush e votoi dhe kush e instaloi Gjykatën Speciale, është totalisht e papranueshme dhe duhet që në të ardhmen të ndërmerren masa disiplinore. Tendenca që qeverisë me ju mvesh të gjitha mëkatet që këta i kanë bë dhe i kanë instalu vetë është e papranueshme”.
Sipas saj, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, nuk e ka as bazën e edukatës, bazuar në sharjet dhe ofendimet që thotë se i ka bërë sot.
“Memli Krasniqi ka tregu që nuk e ka as nivelin minimal të sjelljes, në fjalët që i ka drejtu në veçanti ndaj grave deputete të GP të LVV dhe minstres Gërvalla”, tha ajo.