U.D Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në një intervistë në “Përballje” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com, ka folur për qeverisjen Kurti, për akuzat e opozitës për punësime familjare nga LVV dhe ‘kapjen’ e institucioneve, për dialogun, për rimëkëmbjen ekonomike dhe për zgjedhjet lokale e tema tjera me rëndësi.
Kusari-Lila ka thënë se 100 ditëshi i punës së qeverisjes Kurti është shumë sfidues, për shkak të problemeve që kanë qenë me herët, e po ashtu edhe për problemet që ka shkaktuar pandemia COVID-19.
“Në Kuvend edhe në Qeveri për atë sa kemi hapësirën dhe mundësinë të përcjellim për së afërmi 100 ditëshi do të jetë shumë sfidues, me sfidat të cilat pjesën e parë e kanë të lidhur me problemet kronike që e përcjellin Kosovën për 20 vitet e fundit. Ndërsa pjesën e dytë me ato akute të pandemisë, të cilat kanë përkeqësuar disa prej problemeve të më hershme, por gjithashtu në një mënyrë ose tjetër kanë hapur mundësi të reja për riorganizim, ristrukturim dhe natyrisht për reformë të mirëfilltë”, theksoi ajo.
Kusari-Lila thotë se Qeveria Kurti 2 ka ardhur me një dinamikë dhe intensitet i cili është projektuar në katër vjet qeverisje.
Gjatë intervistës, Kusari-Lila është deklaruar edhe për akuzat e opozitës për Qeverinë Kurti për punësime të të afërmve të udhëheqësve të LVV-së, duke thënë se opozita po mundohet të gjejë identitetin e vet dhe se janë duke treguar inatin për shkak se kanë humbur pushtetin.
“Ata po mundohen me gjetë identitetin e vetë si opozitë, për arsye se vet po deklarojnë po ua bëjmë kështu se kështu na keni bërë. Që absolutisht është një qasje e gabuar për një arsye, për arsye se ata kanë qenë në qeverisje, ata nuk janë si Vetëvendosja që nuk ka qenë në qeverisje, ka qenë vetëm opozitë deri në momentin e zgjedhjeve të vitit të kaluar, dhe që ke shumë shkurtë, dhe tash në një mandat të plotë. Ndërsa, gjithashtu e dyta është që dhimbja e ç’kapjes së institucioneve nga njerëzit që këta i kanë instaluar dikur. Janë njerëz që kanë qenë instrument kryesor të ushtrimit të ndikimit politik nga partitë opozitare, dhe tash kur po u lëvizin pozitat e tyre, po lëviz edhe ndikimi i partive politike opozitare që janë mësuar me ushtru në institucione.
Ndryshe Kusari Lila ka folur edhe për vendimin për shuarjen e AKP-së dhe se çfarë do të ndodhë në procesin e transformimit të AKP-së pas vendimit final për shuarjen e këtij institucioni.
Gjithashtu, në “Përballje”, ajo ka folur edhe për rimëkëmbjen ekonomike, shkarkimet e bordeve dhe vaksinat antiCOVID.