Kusari Lila paralajmëron mbajtjen e seancës për zgjedhjen e presidentit

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sot (3 prill) në një seancë të jashtëzakonshme për të zgjedhur presidentin e ri të vendit, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, ushtruesja e detyrës së shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Ajo tha se mbajtja e seancës po planifikohet të thirret për të shtunën pasdite.

Kusari-Lila kishte konfirmuar më herët se janë siguruar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme dhe se për postin e presidentit kandidojnë dy persona: Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta.

Për zgjedhjen e presidentit duhet që të votojnë së paku 80 deputetë.

Ish-partia e Osmanit, Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në opozitë, gjatë kësaj jave ka thënë se do të marrë pjesë në votimin e presidentit.

Megjithatë, ende nuk është e qartë se si do të veprojnë deputetët e LDK-së, pavarësisht vendimit të kryesisë së kësaj partie që të mos bëjnë pengesa në zgjedhjen e presidentit.

Partitë tjera në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë kundërshtuar zgjedhjen e Osmanit në këtë pozitë.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Gjatë ditës së premte kishte përplasje mes partisë në pushtet dhe atyre opozitare, pasi Qeveria e Kosovës procedoi në kuvend shqyrtimin e ndryshimeve të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Kuvendi u mblodh të premten në mbrëmje në një seancë të jashtëzakonshme, mirëpo kërkesa që shqyrtimi i tij të bëhet me procedurë të përshpejtuar nuk kaloi, pasi opozita votoi kundër.

Ndryshimet e ligjit do t’i mundësonin diasporës të votojë në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i bëri thirrje kryeministrit, Albin Kurti dhe shumicës parlamentare “që të heqin dorë nga ky shantazh ndaj opozitës”.

Por, të shtunën, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, përmes një deklarate për media tha se ka marrë garancën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kandidatës së Vetëvetëndosjes për presidente të Kosovës, Vjosa Osmani se “gjithçka që ka të bëjë me ligjin për zgjedhjet, do të jetë pjesë e një procesi të ardhshëm dialogimi mes mazhorancës dhe opozitës dhe se bashkë do ta bëjmë dhe përmbyllim reformën zgjedhore”. /Rel/