Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas kritikave të mëdha të opozitës për çështjen e hapjes së arkivave. Sipas Kusari-Lilës, kjo tregon se shumë çështje të tjera të luftës dhe pasluftës janë ende të pazgjidhura.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së i ka kujtuar opozitës që legjislaturën e kaluar prezantuan Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, ku sipas saj, në atë Projektligj neni 3, pika 1.11, vlerë e luftës është shënuar: “Arkivi i UÇK-së”.
“Reagimet e vrullshme dhe me sulme ofenduese ndaj Qeverisë Kurti dhe zëvëndeskryeninistrit Bislimi pas takimit për të pagjeturit në Bruksel, e tregojnë në thelb pse çështja e të pagjeturve dhe shumë çështje tjera të luftës dhe pasluftës janë të pazgjidhura. Të njëjtit akterë dhe të njëjtat grupime politike ishin në Kuvend legjislaturën e kaluar, kur vetë draftuan dhe prezantuan Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së. Në atë projektligj Neni 3, pika, 1.11 vlerë e luftës është shënuar: Arkiva e UÇK-së. Arkivin e UÇK-së nuk e aktualizoi zëvendëskryeministri Bislimi, ai ka theksuar se nuk ka arkiv të UÇK-së, por ka arkiv shtetërore të Kosovës. Ndërsa, fatkeqësisht, atë e definuan ata që draftuan projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së”, deklaroi ajo.
“A kanë menduar sponsorisuesit e projektligjit se të tjerët e lexojnë projektligjin dhe do të kërkojnë informata shtesë për të? Nëse UÇK-ja nuk ka arkiva, pse është listuar arkiva si vlerë e luftës në projektligjin për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së?”, shkroi tutje Kusari-Lila në Facebook.
Pas takimit dyditor në Bruksel mes delegacionit të Kosovës dhe atij serb, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi njoftoi të enjten së ishin dakorduar me palën serbe për hapjen e të gjitha arkivave. Një deklaratë e tillë ka ngjallur shumë reagime nga opozita e OVL e UÇK-së.