Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari, ka thënë se e kundërshton secilën marrëveshje që përfshin territorin e vendit.
Sipas saj, vizita e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçakut dhe takimi më 27 qershor në Washington e prezantojnë Kosovën shumë të dobët.
Ajo thotë se është një proces amerikan dhe evropian porse mungon ai kosovar.
“Do të kemi shumë vështirësi të arrijmë çfarëdo konsensusi. Edhe Hoti edhe Mustafa kërkonin që të bashkohen partitë opozitare, por nuk munden të bashkohen kur pikërisht për këtë temë kur ata e shfrytëzuan situatën në kohë pandemie”, është shprehur ajo.
Ajo ka thënë se duhet të gjendet një format i cili ka strukturë të brendshme.
Kusari-Lila thotë se presidentit të SHBA-së, Donald Trump i duhet dialogu në mënyrë që ta prezantojë në fushatën e tij.
“Vërejmë deklarata të Grenellit në raport me marrëveshjen e 27 qershorit për të cilin deklaronte që do të jetë me bazë në ekonomi. Unë i besoj sepse nuk do të ketë marrëveshje më të madhe. Megjithatë të thuhet se ky takim do t’i heshtë të gjithë zërat dyshues, atëherë është të marrësh përsipër gjera që nuk të përkasin”, ka thënë ajo.
Sipas saj, çka do që të ndodhë më 27 qershor nuk do të jetë finale, por do të tentojë të blej kohë.
Ajo thotë se kjo qeveri ka hequr dorë nga të drejtat e saja si shtet.
“Edhe sikur të kemi një marrëveshje për Kosovën mund ti shërbejë atij për fushatën zgjedhore por jo edhe Kosovës. Ai do ta shfrytëzojë këtë për të thënë se demokratet nuk arritën ta bënin për 20 vjet e tani po e bënë ai”, ka thënë ajo.
Ndërkaq për programin e Qeverisë Hoti, ajo ka thënë se ka mungesë totale të vizionit. Ajo thotë se këto pikat në planin e Hotit janë retorikë boshe. Sipas saj asnjë pikë e Hotit nuk përmendet ekonomia qarkore, duke shtuar se shkarazi flet për teknologjinë informative.
“Unë nuk e pres jetëgjatësinë e kësaj qeverie të realizojë diçka. Tani do të fillojë konflikti kur fillon votimi i projekteve”, ka thënë ajo.