Kurtishaj: Sektori privat dhe turizmi bazament i rimëkëmbjes ekonomike

Një nga biznesmenët më të suksesshëm, gjithashtu edhe një nga kontribuuesit më të mëdhenj në promovimin e turizmit, Ruzhdi Kurtishaj, do të jetë pjesë e listës së PDK-së në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Duke qenë një emër që zëri i tij u dëgjua dhe puna e tij përherë pati sukses, Kurtishaj po gjen mbështetje te simpatizantët dhe qytetarët e vendit.

Ruzhdi Kurtishaj kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës ka treguar se pse i është futur politikës.

Duke shtuar se fokusi i tij do të jetë në sektorin privat dhe turizëm i cili sipas tij, është bazamenti i rimëkëmbjes ekonomike.

Ai poashtu shpalosi programin për zgjedhjet e 14 shkurtit, dhe se prioritet kryesor do të ketë zhvillimin ekonomik, i mbështetur në sundim të rendit dhe ligjit, i përcjell nga arsimi, shëndetësia, integrimet rajonale, evropiane dhe inovacionet.

Kurtishaj ka folur edhe sa i përket koalicionit paszgjedhor, duke thënë që nuk kanë vija të kuqe me asnjë nga subjektet politike, pasi që koalicioni më i mirë është ai me qytetarët e vendit.

Intervista e plotë:

Z.Kuritshaj, pse i jeni futur politikës?

Kurtishaj: Rrethanat e krijuar në Kosovën e pas luftës janë shqetësuese në shumë dimensione dhe besoj që këto probleme, nuk mund të zgjidhen duke kritikuar, rekomanduar dhe pa qenë pjesë e këtyre proceseve për ndryshim. Që nga viti 1999, Kosova ka pasur sfida të ndryshme, të cilat janë përballuar me shumë angazhim të të gjithëve akterëve, përfshirë edhe rolin vendimtar të diasporës së Kosovës e cila ka bërë shumë për punë për të arritur në këtë pikë ku jemi. Unë politikës i jam futur për një qëllim që sektori privat të bëhet bazamenti i rimëkëmbjes ekonomike të Kosovës. Deri më tani unë kam dhënë kontribut dhe kam përvojën e duhur që këtë ta barti te Kuvendi i Kosovës. Unë besoj se qytetarët e Kosovës do të vlerësojnë angazhimin tim, përvojën dhe programin tim ekonomik, e jo të vendos inercioni për individin. Kosova ka nevojë për ndryshime, por vet fillimi i ndryshimit është sukses dhe besoj se platforma e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), për rimëkëmbje është garanci e fillimit të ndryshimit pozitiv dhe hapjen e perspektivës për vendin.

Cili është programi juaj për zgjedhjet e 14 shkurtit?

Kurtishaj: Është e vështirë të mendohet ardhmëria e Kosovës, pa stabilitet dhe unitet politik dhe në këtë drejtim, do të jem pjesë e unifikuese e politikës kosovare. Zhvillimi ekonomik, i mbështetur në sundim të rendit dhe ligjit, i përcjell nga arsimi, shëndetësia, integrimet rajonale, evropiane dhe inovacionet do të jenë prioritet i imi me qëllim të krijimit të stabilitetit social përmes krijimit të vendeve të reja të punës përmes mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme prodhuese dhe fokus të veçantë për diasporën.

Z. Kurtishajt, aktiviteti juaj me shumë fokusohet tek turizmi, çka do të bëni më shumë për këtë fushë?

Kurtishaj: Rëndësia e turizmit është e pa kontestuar për zhvillimin ekomomik qoftë, në aspektin shtetëror, bilateral, rajonal, evropian dhe global. Në Kosovë është krijuar një vetëdije e lartë tek qytetarët për rëndësinë e turizmit në të gjitha format dhe në këtë drejtim, besoj se është një momentum i ri, kur duhet të eliminohen barrierat burokratike të cilat e ngulfatin turizmin dhe të krijohet një perspektivë e re për këtë sektor të rëndësishëm. Vitin e kaluar në Procesin e Berlinit, është vënë theks i veçantë për katër liritë themelore që janë garanci e ardhmërisë së Evropës, që kanë të bëjnë me Lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve. Prandaj për zhvillim të turizmit, implementimi i këtyre parimeve do të jetë prioritet dhe kontribut për promovim të turizmit dhe rëndësisë që ka në vete. E veçanta e angazhimit tim, do të jetë thellimi i bashkëpunimit me Shqipërinë, por edhe me vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë. Kosova dhe Shqipëria kanë potenciale të mëdha turistike komplementare dhe është një dhunti natyrore e cila duhet të shfrytëzohet. Jemi dy shtete të një kombi të ndarë dhe besoj që turizmin dhe bashkëpunimin ekonomik duhet t’i përforcojmë edhe më tepër përafrimin dhe integrimin e përbashkët.

Cili do të jetë angazhimi juaj si deputet i ardhshëm?

Kurtishaj: Adresimi i sfidave të komunitetit të biznesit, sektorit privat do të jetë njëri ndër angazhimet e mia permanente. Përmes këtij angazhimi do të jetë mbrojtja e interesave të qytetarëve të Kosovës. Dialogu dhe partneriteti publiko-privat, në Kosovë nuk kanë alternativë dhe forcimi i këtij partneriteti do të jetë synim që të arrijë në mandatin tim si deputet. Është koha që të dëgjohet zëri i komunitetit të biznesit dhe krijimit të hapësirave për afarizëm në Kosovë, sepse ata janë garanci e buxhetit të Kosovës dhe të njëjtën kohë, garanci e stabilitetit social përmes punësimit të mijëra qytetarëve të Kosovës.

Z.Kurtishaj, PDK ka thënë që s’ka vija të kuqe për asnjë parti, cila nga partitë do të jetë me e përshtatshme për koalicion paszgjedhor?

Kurtishaj: Deri më tani PDK ka qenë disa herë në qeverisje me parti të tjera, dhe ka treguar se mund të bashkëpunojë edhe me parti të tjera. Ne si PDK edhe në të kaluarën lidershipi i saj, ke treguar se për Kosovën dhe për qytetarët është me rëndësi interesi për vendin. Për dy dekada PDK ka treguar se ka pasur lidership në vendimmarrje. PDK me programin e saj për rimëkëmbje po mirëpritet nga qytetarët dhe besoj se do të dalim fitues, pasi që koalicioni më i mirë është ai me qytetarët e vendit. Kosova nuk e ka luksin të bllokohet në procese, pasi që na presin sfida të ndryshme edhe pas zgjedhjeve.

Z.Kurtishaj sa është dëmtuar ekonomia nga pandemia. A ka qenë i duhur reagimi dhe masat e Qeverisë.

Kuritshaj: Covid19, ka shkaktuar çrregullim global dhe bota nuk do të jetë ajo që ka qenë vite më parë. Efektet negative janë të shumta dhe zingjirore pas kësaj pandemie sepse shumë vende ballaqohen si pasojë me pandemik: ekonomike, politike, sociale, kulturore dhe mbi të gjitha me pandemi emocionale. Sipas raporteve të Bankës Botërore, trendet e rritjes ekonomike në botë, do të përjetojnë rënie të rritjes ekonomike, prej -5 deri në -7 %. Në këtë drejtim Kosova nuk mund të anashkalohet nga këto efekte të pandemisë e në veçanti, kur kemi parasysh krizën politike dhe mos unitetin politik që karakterizohen me dy palë zgjedhje në kohë pandemie dhe e tëra kjo ka ndikuar që Kosova të jetë më e atakuar nga efektet e Pandemisë Covid19. Vendet e rajonit janë shumë aktive në mbështetje në mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve, krahasuar me Kosovën dhe derisa ato vende kanë arritur të implementojnë strategji të shumta, në Kosovë është pritur 10 muaj të votohet Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike. Prandaj e tëra kjo dëshmon se aty ku dominon agjenda politike dhe problemet politike ka pak hapësirë për mbështetje të qyetatarëve dhe bizneseve.

Çka do të bëjë më ndryshe PDK-ja, meqë̈ edhe sloganin në këto zgjedhje e keni rimëkëmbje?

Kurtishaj: PDK-ja në Platformën e saj për Rimëkëmbje ka paraparë plan për të gjitha fushat ku qeveria e ardhshme, nën udhëheqjen e prof. Enver Hoxhaj të jetë e fokusuar. Vet termi rimëkëmbje ka karakter dhe qëllim për të rimëkëmbur Kosovën. Është një momentum i ri i krijuar dhe vullnet i paraparë deri më tani për ndryshime substanciale. Një projekt i dizajnuar nga ekspert të fushave, se nuk do të jetë vetëm një program elektoral, por një program që do të ketë zbatueshmëri dhe garanton perspektivë dhe stabilitet për ardhmërinë e Kosovës.

Për fund pse duhet të iu votoj qytetari i Kosovës?

Kurtishaj: Motivi im kryesor për të kandiduar për deputet vjen nga familja ime, si bazament për suksesin e deritashëm që e kam arritur, por ashtu edhe përvoja ime e mbështetur nga rrethi ku jetoj dhe veproj. Në këtë drejtim besoj se PDK është parti e vlerave e cila, bazën e ka tek vlerat më sublime të luftës së UÇK-së, po ashtu edhe te lidershipi themelues i saj, që me sukses vizionet e tyre po barten në frymëzim tek gjeneratat e reja. Prandaj besoj se vota për mua dhe PDK-ja është votë për ardhmërinë e Kosovës.