Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën malezeze “Pobjeda”, ka përsëritur se nuk do të lejohet bosnjëzimi i Kosovës.
Ai ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po kërkon bosnjëzimin e Kosovës me anë të themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por se nuk do të lejohet kjo.
“Gjatë vitit 2013 është bërë shumë presion mbi deputetët që të arrihet shpejt ajo marrëveshje e Asociacionit. Mungonte transparenca e informacioni. Sot, institucionet e Kosovës drejtohen nga njerëzit që kundërshtuan marrëveshjen e vitit 2013, dhe që arritën fitore plebishtare në zgjedhjet e 14 shkurtit, 2021”, tha Kurti. “Së dyti, aktgjykimi i Kushtetueses i dhjetorit të vitit 2015 me të drejtë thotë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk është i integruar në sistemin ligjor dhe kushtetues të Kosovës. Gjithashtu Kushtetuesja konstatoi se vetë ideja e Asociacionit shkel 23 nene të Kushtetutës së Kosovës, e cila nuk parasheh asnjë integrim territorial në baza etnike. Ne kemi një krijim të tillë në Bosnjë-Hercegovinë, quhet Republika Sërpska. Beogradi dëshiron një krijim të ngjashëm në Kosovë. Shpresoj të kemi nxjerrë mësime nga e kaluara dhe kemi studiuar e analizuar saktë Serbinë e politikën e saj. Të cilën, për fat të keq, e kemi ndjerë në lëkurën tona. Dua që dialogu të bëhet për të drejtat dhe nevojat e qytetarëve, e jo për shkëmbime territoreve. Ne jemi një shtet demokratik dhe zgjidhje të tilla nuk do të jenë në tavolinë. Aleksandar Vuçiq më nuk e përmend demarkacionin me shqiptarët dhe zgjidhjet territoriale. Në vend të kësaj, ai kërkon “bosnjëzimin” e Kosovës”: një entitet autonom serb brenda Republikës sonë për të bërë Kosovën një shtet jofunksional. Ai dështoi, sigurisht. Nuk ka ndarje të Kosovës”.
Kurti: Serbia po sillet në Ballkan si Rusia
Kurti thotë se me ardhjen e tij në pushtet, marrëdhëniet Kosovë – Serbi nuk janë as më të mira e as më të këqija. Ai thotë se Serbia është problemi më i madh dhe se situata në Ballkanin Perëndimor duket si një kopje miniaturë e Federatës Ruse.
“Marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë janë të njëjta: as më të mira e as më të këqija. Kemi punë me një shtet që nuk e njeh Kosovën, një shtet që është autokrat dhe pro-Moskë. Në anën tjetër, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ka integritetin e vet territorial, por edhe shumë probleme. Problemi ynë më i madh është Serbia, e cila nuk mund ta imagjinojë dhe as ta pranojë Kosovën si shtet fqinj të barabartë”, ka thënë Kurti. “Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për paqe dhe stabilitet afatgjatë, e për të arritur këtë, na duhen demokracia, drejtësia dhe zhvillimi, të cilat janë vlerat bazë evropiane. Fatkeqësisht, situata në Ballkanin Perëndimor duket si një kopje miniaturë e Federatës Ruse. Serbia po sillet në Ballkanin Perëndimor si Rusia: entiteti boshnjak po përpiqet që Republika Sërpskan ta kthejë në Bjellorusi, e Malin e Zi në Ukrainë. Në thelb, Serbia nuk e njeh shtetësinë e vendeve jashtë BE-së – Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës dhe madje as Maqedonisë Veriore. Përkundrazi: i konsideron këto shtete si të përkohshme dhe angazhon të gjitha kapacitetet e saj për ta shkatërruar shtetësinë e tyre. Janë dy shkaqe të tensioneve në rritje që po i prodhon Serbia. Mungesa e demokracisë dhe mospërballja me të kaluarën. Këto dy defekte të brendshme Serbia po i eksporton në rajon, duke destabilizuar atë. Në këtë kuptim, dialogun mes dy vendeve tona, Serbia e kupton si dialog për statusin e Kosovës, për çështjet e brendshme të Kosovës, e jo siç është realisht: dialogun për statusin e marrëdhënieve tona dhe normalizimin e tyre. Për ta pranuar këtë, Serbia duhet të ndryshojë: duhet të demokratizohet, të vendosë shtetin e së drejtës, të përballet me të kaluarën. Duhet të krijojmë një lloj simetrie të reciprocitetit të drejtave të pakicave”.