Kurti vizitoi Bashkësinë Islame për të uruar festën e Kurban Bajramit

Në mëngjesin e festës së Kurban Bajramit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizituan Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u mirëpritën nga Myftiu Naim Tërnava.

Duke shprehur mirënjohje dhe falënderuar BIK-un e Myftiun Tërnava, kryeministri Kurti veçoi lartë rolin dhe angazhimin e tyre, që dhurojnë në vazhdimësi bashkë me të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë. 

Kryeministri uroi besimtarët festën e Bajramit, siç e quajti ai festë të sakrificës, duke inkurajuar të gjithë për solidaritet e mirëqenie të përbashkët.

“Të mirat duke i ndarë shtohen, nuk zvogëlohen, sepse të mirat duke i ndarë bëhen të mira për më shumë vetë, bëhen të mira për shumicën, bëhen të mira për të gjithë”, tha ai në përfundim të vizitës. 

Deklarata e plotë e kryeministrit Kurti për media:

Për festën e Kurban Bajramit vizitën e parë e bëmë në Bashkësinë Islame për t’ia uruar Myftiut Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorëve të tij, për t’iu falënderuar përsëri për rolin, angazhimin, kontributin që edhe Bashkësia Islame edhe vet Myftiu si udhëheqës e ka luajtur në vazhdimësi, dhe gjithashtu për të uruar njëkohësisht të gjithë besimtarëve për këtë festë të sakrificës.

Të mirat duke i ndarë shtohen, nuk zvogëlohen sepse të mirat duke i ndarë bëhen të mira për më shumë vetë, bëhen të mira për shumicën, bëhen të mira për të gjithë. Andaj edhe mirëqenien duhet ta ndajmë e sakrifica ia vlen, e nuk ka ditë më të përshtatshme për ta kujtuar këtë dhe për ta konkretizuar sesa festa e Kurban Bajramit. 

Edhe njëherë, urime Myfti, urime të gjithë besimtarëve.