Kryeministri Albin Kurti, ka ripërsëritur se vendosja e sundimit të ligjit në veti të Kosovës është e domosdoshme, si për largimin e elementeve kriminale, ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer, siç ka thënë, para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen.
Në një komunikatë për media të Zyrës së Kryeministrit, ku njoftohet për takimin që të enjten Kurti e ka zhvilluar me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, thuhet se kreu i ekzekutivit ka vlerësuar se sundimi i ligjit dfuhet të jetë bazë për të ecur përpara.
“Së bashku diskutuan për zhvillimet aktuale, me theks situatën e fundit në veri të vendit, rëndësinë për deeskalim të plotë dhe rrugën përpara. Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti, theksoi se sundimi i ligjit duhet të jetë parimi bazë për të ecur përpara. Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale, ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen”, thuhet në komunikatë.
Kryeministri thuhet se e ka falënderuar ambasadorin Abbott për angazhimin dhe bashkëpunimin e tij të vazhdueshëm në thellim dhe fuqizim të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.