Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe ambasadorët e vendeve të Quint-it sot i shkuan në zyre kryeministrit Albin Kurti.
Në qendër të takimit ndërmjet Kurtit dhe mysafirëve të tij ishte vazhdimi i bashkëpunimit të ngushtë dhe bashkërendimit të veprimeve të Qeverisë së Kosovës, shefit të BE-së në Kosovë dhe ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë, sipas Zyrës së Kryeministrit.
Temë bisede mes tyre ishte edhe dialogu Kosovë-Serbi, për të cilin Kurti ka thënë se duhet të përfundojë me njohje reciproke.
“Duke biseduar lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, u ritheksua angazhimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialog parimor dhe të balancuar, për marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në njoftim.

Në takim ishte edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministri u Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, me të cilët u diskutua për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë, që mundëson pagesën e energjisë nga konsumatorët në komunat në veri të Kosovës, si dhe për zbatimin e marrëveshjes me ENTSO-E dhe rëndësinë që ka kjo për sovranitetin e vendit.
Gjithashtu u fol edhe për zhvillimet politike në vend, si dhe gjendjen e sigurisë në vend e rajon.