Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një mesazh drejtuar serbëve në vend, i ka lutur që të mos bien nën ndikimin e regjimit të Beogradit, por të besojnë më shumë në Qeverinë e shtetit ku po jetojnë.
Të premten në veri u protestua kundër vendimit të Qeverisë të Kosovës që të mos lejohet organizimi i zgjedhjeve të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe për kthimin në punë të gjyqtares Liljana Stevanoviq që u suspendua për shkak të pjesëmarrjes në takimin e Këshillit të Sigurisë së Serbisë.
Në adresimin e publikuar të premten në mbrëmje, Kurti ka thënë se Qeveria e tij e ka parim dhe obligim ndarjen e pushteteve, duke shtuar se s’ka pasur të bëjë me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Teksa i ka falënderuar për protestë paqësore, Kurti ka thënë se më shumë do të besonte në protestën e tyre po që se do të bëhej fjalë për drejtësi sociale, zhvillim më të shpejtë apo për çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Ju lutem që të mos ndikoheni nga regjimi autoritar në Beograd. Atyre nuk iu interesojnë të drejtat dhe përfitimi i serbëve në Kosovë. Ata përpiqen ta destabilizojnë Kosovën, për qëllimet e tyre zgjedhore e ndoshta edhe për interesat luftëndjellëse të ndonjë fuqie të madhe. Prandaj qytetarë të dashur, ju ftoj që ta ruani qetësinë dhe të besoni më shumë te Qeveria e Kosovës. Rritja ekonomike, lufta kundër korrupsionit, rritja e eksportit, të ardhurat nga tatimet dhe doganat, rritja e investimeve të huaja dhe e buxhetit të shtetit, na japin shpresë neve që jetojmë këtu. Ne jemi të përkushtuar për avancimin e të drejtave dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare. Dyert tona janë të hapura”, ka thënë Kurti.