Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se cili ishte propozimi i Quint-it për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.
Kurti tha se propozimi ishte një letër që zyrtari ndërlidhës i Serbisë, ia dërgon zyrtarit ndërlidhës të Kosovës, në të cilët shkruhet se ‘Serbia kërkon nga Kosova’.
Mirëpo, Kurti thotë se kjo letër nuk do të ishte dërguar siç ia dërgon një Qeveri, Qeverisë tjetër.
“Ishte një propozim si një letër që na dërgon Serbia neve, jo si Qeveria Qeverisë, por zyrtari ndërlidhës zyrtarit ndërlidhës, me të cilën thuhet se Serbia kërkon nga Kosova. Thelbi është ky, që Serbia kërkon nga Kosova vetëm nëse Kosova thotë po, pra ajo letër nuk bëhet valide pa thënë Kosova po, ndërkohë aty shkruhet që Serbia kërkon nga Kosova”, tha Kurti në RTK.
Kryeministri Kurti shtoi se në bisedimet me vendet anëtare të Quintit dhe ambasadorit të BE-së, Tomas Szunyog, ua ka bërë të qartë se Serbia po tregohet destruktive në shumë dimensione.
“Ia kam shpjeguar edhe vendeve anëtare të Quintit edhe ambasadorit të BE shumë qartë, se Serbia po tregohet destruktive në shumë dimensione teksa dëshiron që këtë çështje ta kryejë me shkëmbim letrash ndërmjet zyrtarëve ndërlidhës, që i bie pak a shumë të kthehemi tek qershori 2020.
E para: është destruktive në faktin që regjistrat civil të cilavbe ajo u referohet për votimet në Kosovë, nuk janë regjistra civil të Kosovës, por janë regjistra civil të Serbisë, ku qytetari i Graçanicës konsiderohet qytetar i Gracanicës në Serbi dhe strukturat ilegale të komunave paralele, e bëjnë evidentimin, regjistrimin dhe mundësojnë votimin e qytetarëve serbë, pra OSBE i mbledh kutit, mirëpo regjistrat civil nuk janë të OSBE-së janë të tyre”, shtoi ai.