“Transformimi digjital në të cilin jemi duke punuar, do të sjellë benefite të shumta si për shtetin poashtu edhe për shoqërinë e digjitalizimi i administratës publike në veçanti mundëson rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në qeverisje, si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe bizneset tona, andaj është edhe në fokus të qeverisjes sonë. Përmes digjitalizimit në arsim ne synojmë arsim më cilësor në të gjitha nivelet, ndërsa sistemi i informacionit shëndetësor do të krijojë mundësi për shëndetësi më efikase. Me digjitalizim të gjithmbarshëm presim rritje të kursimeve, të produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë në ekonomi”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën ndërkombëtare të sigurisë kibernetike “Cyber zero”.
Me këtë rast, kryeministri njoftoi se Qeveria është duke i adresuar rreziqet e sigurisë kibernetike përmes një angazhimi shumëdimensionalë dhe shtoi se në tetor të vitit të kaluar, është miratuar në qeveri Ligji për sigurinë kibernetike si dhe është aprovuar në lexim të parë në Kuvend. Përmes këtij ligji do të themelohet Agjencia për Siguri Kibernetike, që do të jetë institucioni kyç përgjegjës për caktimin dhe zbatimin e masave për siguri kibernetike në Republikën e Kosovës.
Ndërkohë, është finalizuar drafti i strategjisë së re për sigurinë kibernetike, që pritet të vendoset në konsultime publike në fund të këtij muaji, për çka kryeministri Kurti i inkurajoi të gjithë që të marrin pjesë.
Strategjia rithekson domosdoshmërinë e forcimit të mekanizmave institucionalë dhe rritjes së kapaciteteve të qëndrueshme njerëzore në fushën e sigurisë kibernetike në nivel të shtetit. Në veçanti, parashihet rritja e kapaciteteve për trajtimin e incidenteve kibernetike në luftimin e krimit kibernetik.
Më tej, kryeministri Kurti tha se mbrojtjen efektive të vendit në fushën e sigurisë kibernetike do të mund ta bëjmë vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë e të dendur ndërmjet sektorit publik e privat, akademisë e komunitetit të gjerë të sigurisë kibernetike në vend, si dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me vendet mike, e gjithsesi edhe konferenca “Cyber Zero” i kontribuon një bashkëpunimi të tillë.
Në fund, duke vënë theksin te rëndësia e sigurisë kibernetike, ai shtoi se Republika e Kosovës do ta shtojë investimin e saj në mbrojtje dhe siguri, por se as mbrojtja e as siguria nuk janë të mbrojtura e të sigurta, përderisa nuk ka siguri kibernetike.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në konferencë:
Të nderuar organizatorë,
I nderuar Kryetar i Bordit në Albanian Cyber Association, z.Tanzer Abazi,
I nderuar Ambasador i ShBA-ve në Prishtinë Jeffrey M. Hovenier,
E nderuara Komisionere për Informim dhe Privatësi, znj.Krenare Sogojeva Dermaku –
I nderuar Kryetar i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama,
Të nderuar anëtarë të komunitetit të sigurisë kibernetike në Kosovë dhe rajon,
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi e veçantë që sot po u drejtohem në konferencën ndërkombëtare të sigurisë kibernetike “Cyber zero”.
Transformimi digjital në të cilin jemi duke punuar, do të sjellë benefite të shumta si për shtetin poashtu edhe për shoqërinë e digjitalizimi i administratës publike në veçanti mundëson rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në qeverisje, si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe bizneset tona, andaj është edhe në fokus të qeverisjes sonë. Përmes digjitalizimit në arsim ne synojmë arsim më cilësor në të gjitha nivelet, ndërsa sistemi i informacionit shëndetësor do të krijojë mundësi për shëndetësi më efikase. Me digjitalizim të gjithmbarshëm presim rritje të kursimeve, të produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë në ekonomi.
Për transformimin digjital ka edhe sfida e rreziqe. Përderisa qeverisja dhe ekonomia e digjitalizuar bëhen gjithnjë e më shumë të varura nga mirëfunksionimi i rrjeteve dhe i sistemeve të informacionit, siguria e hapësirës kibernetike bëhet me rëndësi qenësore për funksionimin e shtetit. Sulmet kibernetike sot kanë potencial për të shkaktuar dëme me shtrirje të gjerë, duke filluar nga rënia e web faqeve, degradimi e ndërprerja e shërbimeve elektronike, e deri te cenimi i funksionimit të infrastrukturës kritike dhe rrezikimi i sigurisë kombëtare.
Qeveria jonë është duke i adresuar rreziqet e sigurisë kibernetike përmes një angazhimi shumëdimensionalë. Kësisoj, në tetor të vitit të kaluar, ne kemi miratuar në qeveri Ligjin për sigurinë kibernetike, dhe ligji tashmë është aprovuar në lexim të parë në Kuvend. Ky ligj përcakton përgjegjësitë e autoriteteve në fushën e sigurisë kibernetike, detyrat e subjekteve të sigurisë kibernetike, bashkëpunimin ndërinstitucional, dhe masat për parandalimin e sulmeve kibernetike në vendin tonë. Përmes këtij ligji do të themelohet Agjencia për Siguri Kibernetike, që do të jetë institucioni kyç përgjegjës për caktimin dhe zbatimin e masave për siguri kibernetike në Republikën e Kosovës. Agjencia do të ketë për detyrë të monitorojë, inspektojë dhe koordinojë aktivitetet e institucioneve përgjegjëse për siguri kibernetike, si dhe të ndërmarr masa në rast të moszbatimit të obligimeve të parapara me ligj. Duke pasur CERT-in nacional në kuadër të saj, Agjencia do të merret edhe me reagimin ndaj kërcënimeve dhe incidenteve në hapësirën kibernetike të Kosovës.
Ndërkohë, tashmë e kemi finalizuar draftin e strategjisë së re për sigurinë kibernetike, që pritet të vendoset në konsultime publike në fund të këtij muaji, për çfarë ju inkurajoj që të merrni pjesë. Strategjia rithekson domosdoshmërinë e forcimit të mekanizmave institucionalë dhe rritjes së kapaciteteve të qëndrueshme njerëzore në fushën e sigurisë kibernetike në nivel të shtetit. Në veçanti, parashihet rritja e kapaciteteve për trajtimin e incidenteve kibernetike në luftimin e krimit kibernetik.
Identifikimi i infrastrukturës kritike, si dhe vlerësimi i maturitetit të sigurisë kibernetike në infrastrukturën kritike, paraqet një objektiv të rëndësishëm të kësaj strategjie. Kjo do të pasohet me përcaktimin dhe zbatimin e standardeve e masave për të siguruar qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike.
Strategjia i kushton vëmendje të veçantë edhe veprimeve dhe masave edukative e parandaluese. Programet vetëdijesuese, ushtrimet dhe ndërtimi i një kulture të sigurisë kibernetike, mund të ndikojnë dukshëm në zvogëlimin e gjasave për të rënë viktimë e sulmeve kibernetike.
Një pjesë e madhe e infrastrukturës kritike është pronësi private. Dhe pjesa dërmuese e kuadrove profesionale në fushën e sigurisë kibernetike poashtu punojnë në sektorin privat. Duke i pasur parasysh këto, vitin e kaluar kemi themeluar grupin punues për sigurinë kibernetike në infrastrukturën kritike, me përfaqësim të gjerë nga institucionet qeveritare, sektori privat dhe akademia. Grupi ka rol këshillëdhënës për të ndihmuar në zbatimin e politikave të sigurisë kibernetike dhe rritjen e mbrojtjes e të qëndrueshmërisë së infrastrukturës kritike në Kosovë. Grupi punues gjithashtu shërben si forum për shkëmbimin e njohurive dhe ideve ndërmjet sektorit publik, sektorit privat dhe akademisë, si dhe për ndërtimin e besimit midis palëve.
Kjo iniciativë është një nga mekanizmat e bashkëpunimit të sektorit publik e privat, që parashihet edhe në strategjinë e re. Një mekanizëm tjetër i paraparë është edhe programi për përkrahje të startup-ve në këtë fushë.
Mbrojtjen efektive të vendit në fushën e sigurisë kibernetike do të mund ta bëjmë vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë e të dendur ndërmjet sektorit publik e privat, akademisë e komunitetit të gjerë të sigurisë kibernetike në vend, si dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me vendet mike, e gjithsesi edhe konferenca “Cyber Zero” i kontribuon një bashkëpunimi të tillë.
Në vitin e kaluar ne e patëm rritur buxhetin për mbrojtjen për 52 për qind krahasuar me vitin 2021, në këtë vit buxheti për mbrojtjen është i rritur edhe për 20 për qind të tjera.
Pra, Republika e Kosovës do ta shtojë investimin e saj, shpenzimin për mbrojtje dhe për siguri. Por, edhe mbrojtja edhe siguria nuk janë të mbrojtura e të sigurta, përderisa nuk e kemi sigurinë kibernetike.
Andaj, unë ju falënderoj shumë për këtë organizim për kontributin tuaj dhe ju dëshiroj suksese e diskutime të frytshme.