Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi menaxhimin profesional të KOSTT Sh.A. Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, në 15- vjetorin e themelimit të kësaj kompanie.
“Trajektorja e zhvillimit të KOSTT-it përgjatë viteve paraqet një shembull shpresëdhënës të një menaxhimi profesional të institucioneve vendore. Një sukses i këtillë është i domosdoshëm për ne”, tha Kryeministri Kurti në fjalën hapëse. Qëndrueshmëria energjetike nuk mund të arrihet pa një infrastrukturë solide të transmisionit dhe operim efikas të tregut të energjisë, e ndërkohë kjo mbetet parakusht kryesor për zhvillimin tonë ekonomik”, shtoi ai.
Në një ceremoni të organizuar në Muzeun e Kosovës, u theksuan të arriturat përgjatë viteve 2006-2021 të kësaj kompanie publike me 100% të aksioneve shtetërore. Po ashtu u vlerësua kontributi në zhvillimin e sektorit të energjisë në Kosovë, si shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik dhe social në vend. Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në ceremoninë për 15- vjetorin e KOSTT Sh.A. I nderuari Kryeshef i KOSTT-it z. Mustafë HasaniI nderuar Përfaqësues i Posaçëm i BE-së, z. Szunyog,
E nderuara Ambasadore e Francës, znj. Butel
I nderuar Drejtor i Sekretariati të Komunitetit të Energjisë, z. Kopač,Të nderuar z. Marquez dhe z. Drenova,
Të nderuar inxhinier, profesionistë, eksperte,Të nderuar partner, bashkëpunëtorë, e miq,
Është kënaqësi e veçantë të gjindem në mesin tuaj për të shënuar 15 vjetorin e themelimit të KOSTT-it.
Ky 15-vjetor na ofron mundësinë që të festojmë progresin e KOSTT-it të arritur deri më tani, e më pas edhe të vlerësojmë sfidat, planet e prioritetet për të ardhmen e këtij institucioni të rëndësishëm të sektorit të energjisë në Kosovë.
Trajektorja e zhvillimit të KOSTT-it përgjatë viteve paraqet një shembull shpresëdhënës të një menaxhimi profesional të institucioneve vendore. Një sukses i këtillë është i domosdoshëm për ne! Qëndrueshmëria energjetike nuk mund të arrihet pa një infrastrukturë solide të transmisionit dhe operim efikas të tregut të energjisë, e ndërkohë kjo mbetet parakusht kryesore për zhvillimin tonë ekonomik.
Përtej përpjekjeve për të ngritur sistemin e transmisionit brenda kufijve të Republikës së Kosovës, ne e vlerësojmë edhe punën që KOSTT bëri për të mbrojtur kufijtë e saj energjetik. Probleme të vazhdueshme me homologët tanë fqinjë e kanë ndjekur KOSTT-in deri tek arritja, në mendimin tim, më e madhe e këtij institucioni: marrëveshja e kyçjes në rrjetin e operatorëve Europian të transmisionit dhe sistemeve të energjisë, ENTSO-E. Pas shumë përpjekjeve, marrëveshja me ENTSO-E konfirmoi përfundimisht mëvetësinë e kufijve energjetik të Kosovës dhe, po aq rëndësishëm, hapi rrugën për bashkimin e tregjeve të energjisë me Shqipërinë dhe funksionimin e përbashkët brenda një zone rregullative.
Kosova dhe Shqipëria me burimet e tyre të ndryshme të energjisë plotësojnë kërkesat e përbashkëta të energjisë dhe, rrjedhimisht, marrëveshja për themelimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri dhe me të i Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike ALPEX, shënon një hap të rëndësishëm të rritjes së sigurisë së furnizimit dhe shfrytëzimit efikas të kapaciteteve ndërkufitare.
Megjithëkëtë, dinamika e zhvillimeve që priten në sektorin e energjisë në Kosovë kërkon një KOSTT edhe më të përgatitur. Sektori energjetik në Kosovë ndodhet para një ndryshimi thelbësor. Ne konsiderojmë se zhvillimi ekonomik i Kosovës nuk duhet të bëhet në dëm të qëndrueshmërisë afatgjate dhe shëndetit të qytetarëve.
Ngjashëm, anembanë kemi një theks të shtuar tek integrimi i kapaciteteve të pastra të energjisë elektrike, që ndërlidhen edhe me obligimet e Kosovës si anëtare në Komunitetin e Energjisë. Tranzicionit tonë energjetik do i duhet një operator i transmisionit stabil dhe paralelisht i përgatitur për ndryshimet që do të vijnë, e në shërbim dhe mbështetje të rrugëtimit tonë energjetik.
Në të ardhmen ne e shohim KOSTT-in si anëtar i plotë i ENTSO-E duke operuar me sukses si një zonë e pavarur kontrolli brenda Bllokut Shqipëri-Kosovë dhe brenda zonës sinkrone të Evropës Kontinentale. Në të njejtën kohë, presim që linja e interkonjeksionit Kosovë – Shqipëri të ketë një ndikim pozitiv në optimizimin e dy sistemeve, rritjen e kapaciteteve transmetuese, rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës, Shqipërisë dhe të rajonit, dhe duke ndikuar në zhvillimin e tregut të të dy vendeve, si dhe tregut rajonal të energjisë elektrike.
Gjithashtu, presim që Bursa Shqiptare e Energjisë (ALPEX) të zhvillojë më tej tregun e përbashkët të energjisë elektrike duke inkurajuar investime të reja në gjenerimin dhe rrjetet e transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe përdorimin më efikas të burimeve ekzistuese të energjisë në të dy vendet tona.
Së fundmi, në bashkëpunim me Shqipërinë dhe vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor, KOSTT duhet të bëjë të gjitha përgatitjet për tu bashkuar në tregun pan-Evropian. Kjo do t’i mundësojë Kosovës qasjen në një treg shumë-kombësh të energjisë elektrike dhe shërbimeve ndihmëse me funksionim të mirë, likuid dhe transparent.Ju uroj për punën tuaj deri më tani, dhe ju dëshiroj shumë suksese në të ardhmen.
Ju faleminderit.