Kryeministri I Koosvës, Albin Kurti, e ka cilësuar vitin 2022 si vit kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ai, përmes një postimi në Facebook, tha se gjatë vitit që lamë pas, qeveria ka vazhduar me zbatimin e ligjshmërisë në gjithë territorin e vendit.
Sipas tij, u realizuan 854 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, u arrestuan 3202 veta, prej tyre 301 zyrtarë publikë, u mbyllën 16 rrugë ilegale në veri të vendit.
Kurti shkroi se gjatë 2022-tës Shkatërruan 69 grupe kriminale e u konfiskuan mbi 1.8 tonë substanca narkotike.
“Shkatërruam 5 laboratore të drogës në veri të Kosovës, me vlerë qindra milionëshe në substanca dhe në pajisje si dhe 3 laboratore për prodhimin e kriptovalutave, po ashtu në veri. Mbi 14 milionë euro janë ngrirë nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpërlarjes së parave; Janë sekuestruar mbi 300 mijë litra karburante që s’ishin konform me aktet nënligjore”, shkroi Kurti.
Ai po ashtu tha se I ndërtuan katër objekte dhe stacione policore në veri të Kosovës si dhe bënë shtrirjen e rrjetit optik në atë pjesë të vendit, duke mundësuar, sipas tij, shtrirjen e valëve telefonike, rrjetit të internetit dhe komunikimit me radiolidhje.
“Krijuam Njësitin e Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit, në kuadër të Policisë së Kosovës, i cili angazhohet në luftimin e kontrabandës, trafikimit me qenie njerëzore dhe keqpërdorimeve të tjera përgjatë vijës kufitare”, shtoi Kurti.