Kurti thotë se nuk kanë marrë raport nga BE për shkeljet e marrëveshjes nga Serbia: Zbatimi të jetë pa kushte

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ende nuk ka marrë raport nga Bashkimi Evropian (BE) mbi denoncimet e Kosovës për shkeljet e marrëveshjes nga ana e Serbisë, raporton Ekonomia Online.

Kreu i Qeverisë, ka thënë se pala kosovare është e interesuar të zbatohet në tërësi marrëveshja, por që jo vetëm neni 7.

Sipas tij, formimi i Asociacionit është pjesë e marrëveshjes, por nuk është vet marrëveshja, duke shtuar se duan një plan i cili është i hollësishëm, konkretë, i balancuar dhe gjithëpërfshirës.

“Në takimin e 2 majit të nivelit të lartë, unë i kam dorëzuar një dokument me të gjitha shkeljet e Serbisë edhe të marrëveshjes bazike të 27 shkurtit në Bruksel, por edhe të marrëveshjes së Ohrit, mirëpo deri më sot nga ndërmjetësit nuk kemi një qëndrim të denoncimit tonë mbi shkeljet e Serbisë”.

“Ne jemi të interesuar për zbatim të plotë e të menjëhershëm të marrëveshjes, pra pa kushte dhe pa vonesa. Pra është problemi te pala tjetër e cila nga pesë pikat e preambulës dhe 10-të nenet e marrëveshjes, ajo dëshiron që ne të përqendrohemi vetëm tek neni 7”.

“Natyrisht se neni 7 është pjesë e marrëveshjes, por neni 7 nuk është marrëveshja dhe këtë gjë zëvendëskryeministri Bislimi e ka bërë të qartë mbrëmë në Bruksel dhe gjithashtu kemi theksuar se dëshirojmë një plan zbatimi i cili është i hollësishëm, konkretë, i balancuar dhe gjithëpërfshirës. Nuk mund të jetë plani i zbatimit të sekuencuar për marrëveshjen që e kemi bërë vetëm në neni 7”, u shpreh Kurti.